Ndërlidhjet

Policia në Bosnje arreston 12 vetë për kurdisje të ndeshjeve të futbollit


Agjencia e Hetimit dhe e Mbrojtjes e Bosnjës - fotografi ilustruese

Arbitra dhe zyrtarë futbolli janë në mesin e 12 personave të arrestuar në Bosnje dhe Hercegovinë, nën dyshimet për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Bosnjës thuhet se të dyshuarit përballen me akuza për krim të organizuar, ryshfet dhe keqpërdorim të pozitës.

Sipas së njëjtës, ata janë të përfshirë në "kërkimin dhe marrjen e dhuratave dhe përfitimeve të tjera" për të rregulluar rezultatin e ndeshjeve gjatë sezonit 2018-19.

Policia tha se ka arrestuar 12 persona dhe se ka bastisur pesë lokacione në operacionin e së hënës.

Ajo tha se ka konfiskuar telefona celularë dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në hetime.

Federata e Futbollit e Bosnjës tha se i mbështet plotësisht hetimet dhe se është gati të ndihmojë në çfarëdo mënyre që mundet.

Federata shtoi se dëmi i bërë është "i pafalshëm".

XS
SM
MD
LG