Ndërlidhjet

Moskë: Nuk dëmtohen raportet me Serbinë pavarësisht aferës së spiunazhit


Beograd: Agjenti rus duke u takuar me spiunin serb
Beograd: Agjenti rus duke u takuar me spiunin serb

Rusia ka thënë se asgjë nuk mund të dëmtojë marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Serbisë, pavarësisht faktit se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka hapur një hetim, pas një video-incizimi të publikuar nga Radio Evropa e Lirë ku shihet një i dyshuar si zyrtar i inteligjencës ruse duke i dhënë ryshfet një “agjenti serb”, raporton Reuters.

“Raportet me Serbinë janë vëllazërore dhe të bazuara në partneritet. Asgjë nuk mund të ndikojë tek ato”, tha për Reuters, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takua të enjten me ambasadorin rus në Beograd, Botsan Kharchenko.

Por, shërbimi për media i ambasadës ruse, i tha televizionit N1 se takimi ishte planifikuar disa javë më parë.

Zëdhënësja i ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova, tha se video-incizimi ishte një provokim përpara një takimi të nivelit të lartë, raporton Interfax.

"Tashmë jemi mësuar që disa javë, apo disa ditë para ndonjë takimi të nivelit të lartë të shfaqen histori interesante të cilat paraqiten si sensacion. Dhe, pastaj koha kalon e rezulton se provokimet janë planifikuar keq", tha Zaharova.

Më 4 dhjetor pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin në Moskë.

Presidenti Vuçiq ka caktuar për të enjten një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar këtë çështje. Agjencia për Siguri dhe Informacion e Serbisë (BIA) konfirmoi për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) vërtetësinë e video-incizimit, në të cilin shihet takimi i dy burrave në një parking, ku të dy shkojnë bashkë në drejtim të njërës prej makinave.

Njëri prej tyre, që dyshohet të jetë “agjent i zbulimit rus” i dorëzon qesen me para një “agjenti serb”, i cili lë atë në një makinë të parkuar.

Më pas ata shkojnë në një kafene aty pranë, dhe më pas largohen në drejtime të ndryshme. Kur njëri nga burrat, i identifikuar në përshkrimin e videos si një "agjent serb", pas takimit, shkon në makinën e tij dhe hap qesen që mori, ai në të gjen një zarf me para.

Kreu i Drejtorisë për analizë të BIA-s, Rela Zhelski, konfirmoi për RTS-nëse personi në video ishte një oficer i zbulimit rus.

Reagimet e autoriteteve serbe

Zyrtarët e lartë të qeverisë reaguan menjëherë pas publikimit të videos.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq i tha Blic-it se presidenti Vuçiq e ka urdhëruar Agjencinë për Siguri të Ushtrisë, të merret me këtë çështje.

Ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i tha agjencisë së lajmeve Tanjug se "situata është serioze", dhe se ai pret që Vuçiç të thërrasë dhe të bashkojë "të gjithë shefat e inteligjencës dhe të zbulimit, si dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe".

Më 18 nëntor, Radio Evropa e Lirë publikoi një raport për këtë video.

Christo Grozev, anëtar i grupit hulumtues me bazë në Britani, Bellingcat, ka identifikuar njërin nga personat e parë në video si zëvendës-atasheun ushtarak rus, Georgy Kleban.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka thënë se Kleban ka qenë Ndihmës i të Dërguarit të Mbrojtjes në ambasadën ruse në Beograd deri në qershor të vitit 2019.

Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar ambasadës ruse në Beograd nëse mund të konfirmojë që personi, i cili duket në video është Kleban dhe cili është statusi i tij aktual.

Ambasada nuk është përgjigjur ende.

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Georgy Kleban mbajti pozicionin e Ndihmësit të të Dërguarit të Mbrojtjes në ambasadën ruse në Beograd, por u shkarkua nga ai pozicion në qershor të vitit 2019.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG