Ndërlidhjet

Sarajevë: Protestuesit kërkojnë hetime ndaj një qendre të kujdesit për fëmijë


Protestuesit në Bosnje

Qindra protestues janë mbledhur të enjten në Bosnje dhe Hercegovinë për të kërkuar hetime ndaj dyshimeve për abuzime të fëmijëve, në një qendër kujdesi për fëmijët me nevoja të veçanta.

Protesta u mbajt një ditë pasi një ligjvënëse e Bosnjës, shpërndau një fotografi që dyshohet se paraqet një fëmijë në këtë qendër, të lidhur për shtrati dhe ngrohëse.

Sabina Çudiq, një deputete e opozitës në parlament, tha se fotografia është bërë gjatë vitit të kaluar, në Institutin e Pazariçit për Kujdes Mendor dhe Fëmijë me aftësi të kufizuara, në afërsi të Sarajevës.

Ajo i tha parlamentit, se fëmija i sëmurë, është trajtuar si i burgosur në këtë qendër, dhe se disa fëmijë tjerë janë trajtuar me medikamente që janë joligjore për moshën e tyre.

“Ne dëshirojmë që të zhvillohen hetime për krim”, tha për Radion Evropa e Lirë, nëna e një fëmije, derisa po protestonte në Sarajevë.

“Ne dëshirojmë të dimë se kush e ka bërë këtë ndaj nesh dhe fëmijëve tanë”, tha ajo.

Autenticiteti i fotografisë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe shumica e ligjvënësve kundërshtuan thirrjen e deputetes Çudiq, për të diskutuar këtë çështje në parlament.

Por, parlamenti i entitetit boshnjak dhe kroat, angazhoi një grup punues të hetojë pretendimet dhe të paraqesë një raport deri më 4 dhjetor.

Objekti shërben si një shtëpi kujdesi për 342 pacientë me nevoja të veçanta - duke përfshirë fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara deri në moshën 25 vjeç.

Drejtori i objektit, Rexhep Saliq, u tha gazetarëve se ai nuk do të lejojë që fëmijët në këtë qendër të përdoren për "qëllime politike".

Por, organizata ndërkombëtare që merret me mbrojtjen e fëmijëve, Save The Children, tha në një deklaratë se ishte "e tmerruar dhe e tronditur nga akuzat e abuzimit të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në këtë Institut”.

Save the Children u bëri thirrje autoriteteve në Bosnje-Hercegovinë që të korrigjojnë kushtet në objekt, sa më shpejt të jetë e mundur dhe që menaxherët e të mbahen përgjegjës.

"Ky trajtim i fëmijëve përbën shkeljen më serioze të një numri të të drejtave të fëmijëve të garantuara me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara", tha organizata.

XS
SM
MD
LG