Ndërlidhjet

Papa kërkon eliminimin e armëve bërthamore


Papa Françesku.
Papa Françesku.

Papa Françesku ka dënuar përdorimin e armëve bërthamore dhe e ka cilësuar atë si “krim”. Këto komente ai i bëri gjatë një fjalimi në qytetin japonez Hiroshima, njërin nga dy qytetet që u sulmuan nga ushtria amerikane me bomba bërthamore në Luftën e Dytë Botërore.

“Përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime të luftës është sot më shumë se kurrë më parë, jo vetëm që është krim kundër dinjitetit të qenieve njerëzore, por është kundër çdo të ardhmeje të mundshme në shtëpinë tonë të përbashkët”, tha Papa gjatë qëndrimit në Memorialin e Paqes në Hiroshima.

Më 6 gusht, 1945, bomba e parë bërthamore u lëshua nga SHBA-ja në Hiroshima, duke vrarë rreth 140 mijë persona. Tre ditë më vonë, bomba e dytë bërthamore vrau 74 mijë persona në Nagasaki.

Më herët gjatë ditës, Papa vizitoi Nagasakin, ku bëri thirrje që bota të eliminojë armët bërthamore.

“Ky vend na bën të vetëdijshëm për vuajtjen dhe tmerrin që ne si qenie njerëzore mund të shkaktojmë ndaj njëri-tjetrit”, tha Papa teksa vizitoi Parkun e Bombës Bërthamore në Nagasaki.

“Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk janë në përputhshmëri me përpjekjet për të nxitur frikë dhe shkatërrim të ndërsjellë ose me kërcënimet për asgjësim të plotë”, tha Ati i Shenjtë.

Papa Françesku arriti në Japoni më 23 nëntor, që është ndalesa e tij e radhës në kuadër të turneut aziatik që e nisi në Tajlandë.

Papa pritet të takohet me perandorin japonez, Naruhito, i cili mori fronin më 1 maj. Po ashtu, ai pritet të takohet edhe me kryeministrin japonez Shinzo Abe.

Kjo është vizita e parë e një pape në Japoni në 38 vjetët e fundit. Më 1981, Papa Jon Pali II kishte vizituar Hiroshimën, Nagasakin dhe Tokion.

XS
SM
MD
LG