Ndërlidhjet

Kurti - Mustafa: Takime intensive për caktimin e përgjegjësive qeverisëse


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti (foto nga arkivi).
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti (foto nga arkivi).

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë mbajtur një takim të përbashkët në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Takimi vjen pas shpalljes përfundimtare dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka dalë si partia e parë, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas takimit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se grupet punuese të të dyja partive, në ditët në vijim do të lidhin marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

“Takimi ishte shumë konstruktiv. I konfirmuam të gjitha pajtimet që i kemi bërë deri më tani sa i përket harmonizimit programor. U morëm vesh që nesër të jetë takimi i radhës për t’i përmbyllur çështjet e ngelura nga dy ekipet tona të profesionistëve dhe gjithashtu u pajtuam se do të takohemi intensivisht, ne të dy kryetarët e të dy subjekteve, sepse doemos do ta bëjmë marrëveshjen, e cila do të shënoj një kapitull të ri në Republikën e Kosovës, me një kulturë tjetër qeverisëse”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, konfirmoi se palët do të vazhdojnë bisedimet, në mënyrë që të përcaktohen përgjegjësitë e qeverisjes së ardhshme.

“Ne shohim arsye të plotë dhe vullnet nga të dy palët që të vazhdojmë intensivisht që këto ditë të mbajmë kontakte të rregullta, biseda të rregullta, në mënyrë që të përcaktojmë edhe përgjegjësitë tona në qeverisjen e ardhshme, me qëllim që ajo qeverisje të jetë e suksesshme dhe të jetë, para së gjithash, në interes të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin mbajtur disa takime, me qëllim të harmonizimit të një programi të përbashkët qeverisës.

Bazuar në punën e deritashme të grupeve është paralajmëruar një program i përbashkët prej 26 faqesh.

Më 27 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Pas certifikimit të rezultateve, ka filluar të rrjedhë edhe zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30-ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG