Ndërlidhjet

Hungaria fajëson Finlandën për dështim në zgjerimin e BE-së


Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, e kritikoi të hënën Finlandën, e cila mban presidencës e radhës së Bashkimit Evropian, për dështim në zgjerimin e bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Finlanda, si presidente e BE-së, është përgjegjëse për "dështimin e madh" në zgjerim, tha Szijjarto pas takimit të tij në Pragë me homologët nga Çekia, Polonia dhe Sllovakia.

"Është kjo presidenca e parë që nuk ka qenë në gjendje të hapë asnjë kapitull të vetëm negociatash me ndonjërin nga vendet kandidate. Kjo nuk ka ndodhur më parë", tha Szijjarto.

Në samitin e Bashkimit Evropian në tetor, Franca ka shkaktuar zemërim, pasi ka bllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Nisja e bisedimeve me këto dy vende është mbështetur fuqishëm nga Gjermania dhe vendet e tjera.

"Shtyrja e zgjerimit dhe vendosja e pengesave në rrugë janë politika që shkojnë në kundërshtim me interesat evropianë", tha Szijjarto.

Përfaqësuesi i Hungarisë në përbërjen e re të Komisionit Evropian mban portofolin e zgjerimit dhe të fqinjësisë.

Szijjarto tha se zgjerimi është "në duar të mira" me komisionarin Oliver Varhelyi.

XS
SM
MD
LG