Ndërlidhjet

Shqipëria bojkoton ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel


Peter Handke.
Peter Handke.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për lauretatin e këtij viti, Peter Handke.

Kjo ceremoni do të mbahet më 10 dhjetor në Stokholm.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Cakaj ka thënë se ky vendim është marrë në përputhje me reagimin paraprak të këtij shteti për çmimin e ndarë për Handken.

“Arsyetimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet”, ka thënë mes tjerash ai.

Ditë më parë edhe edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se as Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj ceremonie.

Ndarja e Çmimit Nobel për shkrimtarin Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe më gjerë, për shkak se ai kishte mbështetur zëshëm ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Akademia e Shkencave të Kosovës ka kërkuar që të anulohet Nobeli për Handken.

XS
SM
MD
LG