Ndërlidhjet

Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian shprehin shqetësim lidhur me projektligjin për shtypin në Shqipëri


Ilustrim

Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, ka shprehur shqetësime lidhur me projektligjin për shtypin në Shqipëri, për të cilin kritikët thonë se minon lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Parlamenti i Shqipërisë pritet të shqyrtojë të mërkurën pakon ligjore "anti-shpifje", përmes së cilës, autoritetet shqiptare, synojnë të obligojnë mediat online të regjistrohen në organet qeveritare.

Masa ligjore parasheh gjoba të larta për mediat e paregjistruara.

Mijatoviq tha se pakoja e propozuar ka nevojë për "përmirësim urgjent", pasi disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Mijatoviq u kërkoi ligjvënësve shqiptarë të ndryshojnë legjislacionin në përputhje me rregullat evropiane.

Konkretisht, ajo shprehu shqetësime lidhur me kompetencat që ky ligj u jep dy organeve rregullatore, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të bllokuar faqet e internetit të mediave, pa një urdhër gjykate.

"Është me rëndësi të madhe që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe të mbizotërojë vetë-rregullimi nga mediat, përfshirë ato online", tha ajo.

Edhe Komisioni Evropian (KE) ka shprehur shqetësime lidhur me projektligjin për shtypin në Shqipëri, pavarësisht ndryshimeve që i janë bërë gjatë ditëve të fundit, transmeton Zëri i Amerikës.

Një zëdhënës i Komisinit Evropian, i pyetur nga Zëri i Amerikës, ka thënë se varianti i fundit nuk merr paraysh një sërë rekomandimesh që i janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtar.

Masa ligjore është kritikuar nga shoqatat e gazetarëve shqiptarë si dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Grupet e gazetarëve kanë planifikuar një protestë të mërkurën, në kohën kur parlamenti debaton për projektligjin.

XS
SM
MD
LG