Ndërlidhjet

Administrata amerikane nuk ndryshon qëndrim për çështjen e armenëve


U.S. -- Department of State Headquarters on June 1, 2014 in Washington, DC

Departamenti amerikan i Shtetit , tha më 17 dhjetor se vendimi i Senatit për të njohur gjenocidin ndaj armenëve, nuk pasqyron politikën e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të shkurtër, departamenti tha se qëndrimi i administratës Trump, për këtë çështje, mbetet i pandryshuar.

Javën e kaluar, Senati votoi në mënyrë unanime për të njohur si gjenocid vrasjet masive të më shumë se 1 milionë armenëve nga turqit osmanë, një shekull më parë.

Vendimi nxiti reagimin e ashpër të Turqisë, që është aleate e SHBA-së në NATO.

"Pozicioni i administratës nuk ka ndryshuar", tha zëdhënësja e departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

"Pikëpamjet tona pasqyrohen në deklaratën e muajit prill të presidentit Trump lidhur me këtë çështje", shtoi ajo.

Më 24 prill, presidenti amerikan, Donald Trump, përkujtoi “Ditën e Kujtimit të Armenëve”.

Deklarata nderonte "kujtimin e atyre që vuajtën në një nga mizoritë më të këqija të shekullit të 20-të".

Por, në përputhje me qëndrimin e administratës amërikane, deklarata nuk e përmendi termin “gjenocid”.

Votimi në Senat pason një votim të një komiteti të Senatit, për të vendosur sanksione ndaj Turqisë, pas ofensivës së saj në Siri dhe blerjes së sistemit raketor rus S-400.

Veprimet e fundit të ligjvënësve amerikanë synojnë të nxisin presidentin Trump të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj presidentit turk Reccep Tayip Erdogan.

XS
SM
MD
LG