Ndërlidhjet

Kurti e Konjufca paraqesin pretendimet për “dëshminë e rrejshme të presidentit”


Prokurorina Themelore në Prishtinë
Prokurorina Themelore në Prishtinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dëshmuar të mërkurën në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në lidhje me pretendimet e tij dhe të nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca për “deklatarë të rrejshme nën betim” të presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Sipas tyre, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë bërë “deklarim të rrejshëm nën betim para gjykatës”, duke i përmendur emrat e Kurtit dhe Konjufcës si persona të përfshirë në organizatën “Syri i Popullit” të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës e cilëson si terroriste.

Pasi që ka dhënë dëshminë e tij para Prokurorisë, Albin Kurti tha para gazetarëve se për bëhen gati tetë muaj që kur kanë iniciuar këtë kallëzim penal.

“Është për tu çuditur se si prokurori atë botë nuk ka reaguar fare ndaj presidentit të Kosovës i cili ka marrë detyrën e prokurorit duke thënë se do t’i zgjerojë akuzat në drejtim të Kurtit e Konjufcës”, tha Albin Kurti.

“Më në fund fituam këtë thirrje nga Prokuroria dhe më vjen mirë që sot pata rastin që të përgjigjem në të gjitha pyetjet e prokurorit që ka marrë këtë kallëzim penal dhe unë kërkoj që të shndërrohet në aktakuzë ndaj z.Thaçit dhe Veselit për deklarime të rreme nën betim”, ka deklaruar Kurti.

Pas Albin Kurtit, dëshminë e tij para Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ka dhënë edhe Glauk Konjufca.

Ai ka theksuar që deklaratat e presidentit Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit , Veseli “janë pretendime që të lidhin Lëvizjen Vetëvendosje me terrorizmin”.

“Kjo është arsyeja pse e kemi paditur Thaçin dhe Veselin se kanë bërë deklarime të rrejshme nën betim. Qëllimi pse e kanë bërë këtë, për ne është i qartë. Ata kanë synim politik, që duke e konsideruar Lëvizjen Vetëvendosje si kundërshtar politik, të bëjnë këso mëveshje të veprave të rënda penale, përmes deklarimeve të rrejshme, ashtu që ta eliminojnë nga skena politike Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe mua”, tha Konjufca.

Por, Kadri Veseli, në anën tjetër, tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tashmë të shpërndarë të Kosovës ku u caktua mbajtja e seancës konstituive të përbërjes së re të Kuvendit, se “Syri i Popullit” nuk është organizatë fiktive, por reale.

“Syri i Popullit nuk është diçka fiktive, por është reale. Ka njeri të plagosur..., ka djegie të makinave, ka sulme ndaj eskortës së kryeministrit, ka sulme ndaj zëvendëskryeministrave, ka sulme ndaj deputetëve, ka sulme ndaj familjeve të eksponentëve që kanë qenë gjatë këtyre pesë viteve në qeverisje në pjesën e pozitës, e të cilat i ka bërë Syri i Popullit", tha Veseli.

"Pavarësisht ndonjë prokurori të korruptuar ose që frikësohet e mendon se në rrethana të reja mund t’i mbyllë rastet, nuk do të mbyllen rastet. Do të thotë secili duhet të përgjigjet për veprimet që i ka kryer. Unë do t’i shkojë deri në fund në aspektin ligjor dhe nuk më bënë përshtypje për asnjë individ”, theksoi Veseli.

Në anën tjetër, nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka pasur reagime.

Pas publikimit të disa emrave të zyrtarëve të lartë politikë si persona në listën për likuidim, organizata e deriatëhershme fantome, “Syri i Popullit”, më 13 mars, 2017, kreu edhe tentim-vrasjen e parë ndaj ish funksionarit të lartë në kohën e ish-Jugosllavisë, Azem Vllasi.

Pas kësaj tentim-vrasje, ishin arrestuar, Murat Jashari dhe Avni Llumnica, si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, që mori përgjegjësinë për këtë rast. Vala e arrestimeve të mëvonshme përfshiu edhe persona tjerë, si Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, që organizatën “Syri i Popullit”, e cilëson si terroriste, pjesëtarët e saj akuzohen se po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Në aktakuzë thuhet se në listë për t’u vrarë nga kjo organizatë ishin edhe shumë emra të tjerë, si Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, që nga kjo organizatë konsideroheshin tradhtarë.

Në aktakuzën afër 80 faqe, thuhet se kjo organizatë ka pasur edhe dy grupe; “Grupet Guerile” dhe “Grupi i Dajakut”. Aktakuza e Prokurorisë Speciale, shpjegon se kjo organizatë kishte logon, emblemën, vulat dhe betimet, të cilat kryheshin para flamurit kombëtar dhe fotografive të Adem Jasharit, i cili në Kosovë njihet si “komandanti legjendar i UÇK-së”.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se pas fillimit të aksioneve, "Grupi Gueril" dhe "Grupi i Dajakut", si dhe veprimtarët do të kishin rroga mujore, derisa financimi do të bëhej nga afaristët vendorë kur të krijoheshin rrethanat, si dhe nga mërgata.

Gjatë dëshmisë para gjykatës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e më pas edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i kishin përmendur dy drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, se qëndrojnë prapa organizatës “Syri i Popullit”.

Për këtë deklaratë apo dëshmi para gjykatës, Thaçi tani po përballet me kallëzimin penal të ngritur nga Kurti dhe Konjufca.

XS
SM
MD
LG