Ndërlidhjet

Në Indi vazhdojnë protestat kundër ligjit për shtetësi


Protestat në Indi
Protestat në Indi

Më shumë se 1.000 studentë, piktorë dhe shkrimtarë protestuan në Nju Delhi dhe shtetin e Assam në Indi, kundër një ligji të ri, që lejon shtetësinë për refugjatë jomyslimanë nga disa vende fqinje.

Protestat në Indi filluan në fillim të muajit dhjetor, menjëherë pasi një shumicë nacionaliste qeverisëse miratoi ligjin e shtetësisë në parlament, që nuk vlente për komunitetin mysliman.

Kritikët thonë se qeveria e kryeministrit Narendra Modi po përpiqet ta bëjë Indinë në një shtet hindu, duke goditur demokracinë laike.

Shkrimtari dhe aktivisti Arundati Roy iu bashkua protestës në Nju Delhi dhe u bëri thirrje qytetarëve të rrinë së bashku dhe ta mbajnë njëri-tjetrin të sigurt nga shtypja e forcave të sigurisë.

Që nga fillimi i protestave masive, 23 njerëz janë vrarë në të gjithë vendin. Shtetet më të goditura nga protestat janë Uttar Pradesh, Karnataka dhe Assam.

Kryeministri Modi e mbron ligjin dhe e përshkruan atë si një veprim humanitar për refugjatët.

Ligji i ri lejon shtetësinë indiane për jomyslimanët, të cilët dëshmojnë se ata kanë qenë viktima të përndjekjes fetare në Bangladesh, Pakistan ose Afganistan, vende këto me shumicë myslimane.

Lexoni edhe këtë: Pavarësisht protestave, India miraton regjistrimin e popullsisë​

XS
SM
MD
LG