Ndërlidhjet

Turqia do të dërgojë trupa ushtarake në Libi, pavarësisht paralajmërimit rus


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se shteti i tij do të dërgojë trupat ushtarake në Libi me kërkesë të Tripolit nga muaji janar, një hap që mund ta përballë këtë vend me mercenarët e lidhur me Kremlinin, që supozohet se luftojnë në kombin e Afrikës Veriore.

Një zyrtar i Tripolit ka konfirmuar kërkesën zyrtare që i është bërë Ankarasë për mbështejen e forcave ushtarake, tokësore, ajrore dhe detare të Turqisë.

Qeveria e Libisë e njohur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli është duke u sfiduar në kontrollimin e vendit si pasojë e Ushtrisë Kombëtare të Libisë të Gjeneralit, Khalifa Haftar, i cili është raportuar se mbështetet nga Rusia, Kina, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania.

Qeveria e Libisë është krijuar më 2016 në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, meqë në Libi ishte krijuar kaos, pas largimit nga pushteti të dikatorit, Muammar Qaddafi më 2011.

Moska ka paralajmëruar Turqinë kundër pozicionimit të trupave në Libi.

Mirëpo Erdogan ka kundërshtuar kritikat ruse dhe ka thënë se Turqia nuk do të qëndrojë e heshtur ndaj mercenarëve që mbështesin Haftarin, të cilët i takojnë kompanisë private të sigurimeve, Vagner, të lidhur me Kremlinin.

Moska nuk ka konfirmuar prezencën e grupit Vagner në Libi dhe as nëse mbështet këtë luftëtarë.

Diplomatët kanë thënë se luftëtarët e Haftarit nuk kanë arritur në Tripoli, mirëpo gradualisht kanë avancuar në zonat jugore me ndihmën e forcave ruse dhe atyre sudaneze.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka thënë që presidenti amerikan, Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, të cilët kanë “kundërshtuar “shfrytëzimin e forcave të huaja”, pa përmendur në mënyrë specifike ndonjë vend.

“Liderët janë pajtuar që palët duhet të marrin masa urgjente për të zgjidhur konfliktin para se banorët e Libisë të humbin kontrollin ndaj aktorëve të huaj”, ka thënë mes tjerash Shtëpia e Bardhë.

XS
SM
MD
LG