Ndërlidhjet

LDK dhe VV thonë se pati "përafrim" në negociatat për koalicion qeverisës


Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka pasur përafrim të qëndrimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për formim të koalicionit qeverisës, pas takimit që është zhvilluar pasditën e së mërkurës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, kjo parti ka thënë se negociatat drejt arritjes së një marrëveshjeje për koalicon do të vazhdojnë të enjten.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa po ashtu ka thënë se ka pasur “lëvizje” për të arritur pajtueshmëri.

Takimi i sotëm i liderëve të të dyja partive që synojnë koalicionin qeverisës, ka qenë i dyti, pas takimit të ditës së martë, i cili ndodhi pas një ndërprerjeje të takimeve që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Në këtë seancë, kryetar i Kuvendit është emëruar Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të hënën me liderin e LVV-së, Albin Kurti për të diskutuar rreth mandatarit për kryeministër, dhe më pas është bërë e ditur që Thaçi t’i ketë dhënë afat prej 48 orëve Kurtit për të propozuar një emër.

Ky afat ka skaduar të mërkurën në orën 15:00.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.

Ky proces zgjedhor është zhvilluar pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, meqë kishte marrë ftesë për dëshmi nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

XS
SM
MD
LG