Ndërlidhjet

Kryeministri kroat beson në nisjen e negociatave Shqipëri, Maqedoni e V. - BE


Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq ka thënë se beson që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin shumë shpejt negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Plenkoviq ka thënë në një konferencë për media në Zagreb, bashkë me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, se shteti i tij është duke tentuar “të krijojë një klimë pozitive”, që mund t’ua mundësojë këtyre dy shteteve arritjen e qëllimit të tyre.

Më 1 janar të këtij viti, Kroacia është ngjitur në krye të presidencës së BE-së, që funksionin me rotacion çdo gjashtë muaj, dhe që nga ajo kohë ka treguar se do të mbështesë Tiranën dhe Shkupin.

Franca dhe Holanda kanë penguar nisjen e bisedimeve për këto dy vende vitin e kaluar, duke nxitur zhgënjim dhe shqetësim për shkak të mundësisë së rritjes të ndikimit rus dhe atij kinez në Ballkanin Perëndimor.

Për të qenë i gatshëm për anëtarësim në BE, vendi që aplikon duhet fillimisht të negociojë 35 fusha, duke përfshirë, bujqësinë, transportin, energjinë, dhe politikat gjyqësore e shoqërore.

Presidenti francez, Emmanual Macron ka thënë këtë javë se ai dëshiron që samiti BE-Ballkan, që është caktuar të mbahet në muajin maj, “të jetë moment i unitetit” për Evropën.

Zyrtarë të lartë kroatë kanë thënë se këto deklarata duket se janë shenjë që zgjidhja mund të gjendet para takimit të liderëve të bllokut evropian në muajin mars.

XS
SM
MD
LG