Ndërlidhjet

LDK-ja e konsideron jozyrtare letrën e re të LVV-së  


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se anëtarët e kësaj partie janë duke e shqyrtuar letrën e dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndonëse atë e ka konsideruar si jozyrtare.

Ai ka thënë se LDK-ja është e interesuar që ta përfundojë procesin e negociatave rreth marrëveshjes eventuale për koalicion qeverisës.

“Letrën do ta shohim, nuk e konsideroj që është letër zyrtare dhe përgjigje zyrtare. Ajo që mund të them është që ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces, të gjejmë rrugë për marrëveshje, të themelojmë institucionet dhe mos të vazhdohet kjo agoni e institucioneve. Për këtë ne do të mundohemi të punojmë në mënyrë maksimale. Dhe për këtë kërkoj që edhe Lëvizja Vetëvendosje të japë kontributin e saj”, tha Mustafa.

Komentet e Mustafës pasuan dërgimin e një letre në adresë të Lidhjes Demokratike nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në letrën e bërë publike nga Lëvizja Vetëvendosje pas deklaratave të Mustafës, kryetari i LVV-së, Albin Kurti u bën thirrje zyrtarëve të LDK-së që të kthehen në tryezën e bisedimeve për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Në letër, Kurti e konsideron kërkesën e LDK-së për largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si jodemokratike.

“Ka nevojë për largim të zyrtarëve të korruptuar nga institucionet e shtetit të kapur të Kosovës. Nuk është z. Konjufca i tillë. Ka nevojë për ndryshime të vendimeve të imponuara mbi Kuvendin e Kosovës. Nuk është zgjedhja e z. Konjufca e tillë”, është thënë mes tjerash në letër.

Një ditë më parë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka publikuar ofertën e saj për koalicion qeverisës, duke e prezantuar atë si ofertë të fundit.

Mustafa, ka theksuar se nuk është i gatshëm të negociojë më gjatë dhe pret vetëm përgjigjen e Vetëvendosjes rreth kësaj oferte.

Lexoni edhe këtë artikull: Mustafa me 'ofertën e fundit’ për LVV-në

Deri më tani, liderët e të dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë takuar 8 herë me synimin për të përmbyllur një marrëveshje për koalicion, mirëpo të gjitha takimet kanë rezultuar të pasuksesshme.​

Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtur më 6 tetor të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, derisa LDK-ja e dyta.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, meqë ai mori ftesë për të dëshmuar në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG