Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë "ka shkelur ligjin" duke pezulluar ndihmën për Ukrainën


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë ka shkelur ligjin duke pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën, e cila është miratuar nga Kongresi amerikan, ka thënë një vëzhgues qeveritar.

Ky vendim i Zyrës për Llogaridhënie të Qeverisë rrit shqetësimet për presidentin amerikan, Donald Trump teksa ai përballet me gjykim për shkarkimin e tij në Senat.

Trump akuzohet për pezullim të ndihmës ashtu që t’i bëjë presion Ukrainës për të hetuar rivalin politik, Joe Biden.

“Zbatimi i duhur i ligjit nuk i lejon presidentit të vendosë politikat e tij si prioritete në vend të atyre që ka miratuar Kongresi në ligje”, është thënë në vendimin e kësaj Zyre.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk pajtohet me këtë vendim, duke akuzuar agjencinë për përpjekje të “përfshirjes së vetes në raportimet kontraverse të mediave”.

Trump "e ka ditur saktësisht" për presionin ndaj Ukrainës

Demokratët në anën tjetër kanë mirëpritur këtë vendim.

Senatori, Chris Van Hollen, që ka bërë thirrje për nisjen e këtij hetimi, ka thënë se “të dhënat publike tregojnë se vetë presidenti ka udhëruar këtë veprim ilegal”.

Ky vendim vjen në kohën kur autoritetet ukrainase kanë nisur një hetim penal për të kuptuar nëse ndaj ish-ambasadores amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, është zhvilluar mbikëqyrje e dyshimtë, para se ajo të shkarkohej nga ajo pozitë.

Ministria e Brendshme e Ukrainës e bëri publik lajmin të enjten, dy ditë pasi hetuesit në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara publikuan disa dokumente, që e tregojnë Lev Parnasin - ndihmës i avokatit të presidentit amerikan, Donald Trump - duke komunikuar për shkarkimin e Yovanovitchit.

Parnas është ndihmës i avokatit personel të Trumpit, Rudy Giuliani.

Yovanovitch shërbeu si ambasadore e SHBA-së në Kiev nga viti 2016 deri në maj të vitit 2019, kur ajo është shkarkuar, për shkak të kritikave publike të Trumpit për performancën e saj.

Ajo ka dëshmuar në kuadër të hetimeve që po i bën Dhoma e Përfaqësuesve për shkarkimin e Trumpit.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka ngritur dy akuza formale kundër Trumpit në muajin dhjetor: për shpërdorim të detyrës dhe pengim të drejtësisë.

Çështja këtë javë ka kaluar në Senat - institucionin që do ta gjykojë Trumpin.

Akuzat kanë dalë nga dyshimet se Trump i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik.

Ukraina nis hetime për mbikëqyrjen e dyshuar të ish-ambasadores amerikane

XS
SM
MD
LG