Ndërlidhjet

Lojërat e fatit nuk mund t'i ndalë as ligji


Ilustrim

Lojërat e fatit, që nga maji i vitit 2019, janë aktivitete të ndaluara me ligj dhe si të tilla, konsiderohen ilegale. Por, edhe pas ndalimit me ligj të këtij aktiviteti, Policia raporton se në vazhdimësi ka hasur në organizime të lojërave të fatit nëpër mjedise të fshehta.

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, pati hyrë në fuqi në muajin maj të vitit 2019.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se në aksione të ndryshme, ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë që nga hyrja në fuqi e Ligjit që ndalon këto aktivitete, janë evidentuar 137 raste të veprës penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

Mospajtimet, për ndalimin e lojërave të fatit vazhdojnë edhe tani. Miratimi i ligjit nga legjislatura e kaluar e Kosovës sipas përfaqësuesve ligjorë të këtyre bizneseve mund të ketë ndikuar që të vazhdohet veprimtaria edhe në mënyrë ilegale.

Avokati i Shoqatës së Bizneseve të Lojërave të Fatit, Granit Vokshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se fakti se ka pasur raste të shumta të zhvillimit të kësaj veprimtarie në mënyrë ilegale, tregon se vendimi i Qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit ishte i ngutshëm dhe i pamenduar mirë.

“Kjo është pasojë e veprimeve të ngutshme të bëra nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës dhe tani po dëshmohet që lojërat e fatit nuk do të mund të ndalohen si të tilla. Fakti që janë ndaluar me ligj nuk do të thotë që njerëzit kanë ndaluar së luajturi me lojëra të fatit. Në këtë frymë është shumë më mirë të vendosen masa rigoroze për shkelësit dhe të vendoset një kontroll më i rreptë sa i përket lojërave të fatit dhe të bëhet një kontroll i rreptë nga shtetit sesa të ndalohen rreptësisht”, thotë Vokshi.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se autoritetet e rendit dhe ligjit do të duhet të marrin masa në mënyrë që të parandalojnë zhvillimin e veprimtarisë së këtyre bizneseve në formën ilegale, pasi që dëmet në ekonomi janë të mëdha.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, tha për Radion Evropa e Lirë se efektet në ekonomi nga mbyllja e këtyre bizneseve janë si pozitive ashtu edhe negative.

“Lojërat e fatit çdokund në botë funksionojnë në mënyrë legale, por në Kosovë janë marrë edhe me aktivitete tjera të cilat nuk janë të lejuara dhe për këtë arsye ishte nxjerrë edhe Ligji për ndalimin e funksionimit të këtyre lojërave që e ka arsyen e vetë edhe pozitive, por edhe negative. Pozitive është se janë ndalur disa veprimtari që kanë qenë jashtë veprimtarisë së lojërave të fatit, ndërsa negative është që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve që kanë qenë të punësuar kanë mbetur pa punë dhe është një burimi financiar i disa familjeve”, thotë Limani.

Limani shton se zhvillimi i këtyre i bizneseve në mënyrë ilegale në aspektin ekonomik në përgjithësi ndikon negativisht, pasi që nuk i nënshtrohet obligimeve ndaj shtetit dhe e dëmton pos tjerash buxhetin si një prej burimeve financiare.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbylljen e lojërave të fatit e pati cilësuar si një prej vendimeve të mëdha të Qeverisë së tij.

Megjithatë, në atë kohë vendimi ishte konsideruar i ngutshëm nga Shoqata e Bizneseve të Lojërave të Fatit, pasi që sipas tyre, ky vendim i kishte lënë të papunë katër deri në pesë mijë persona.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit ishte marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.

XS
SM
MD
LG