Ndërlidhjet

Zgjerimi dhe e ardhmja e Evropës


Ilustrim
Ilustrim

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është pjesë e rëndësishme e të ardhmes së Evropës, sidomos me aspirantët nga rajoni i Evropës juglindore, tha të mërkurën në Bruksel, nënkryetarja e Komisionit Evropian e angazhuar për demografi dhe demokraci, Dubravka Shuica e cila ka prezantuar propozimin e Komisionit Evropian për konferencën rreth së ardhmes së Evropës.

Kjo konferencë, e cila pritet të zgjasë dy vjet, në fakt është një proces i konsultimeve mes tri institucioneve kryesore të BE-së, Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit, me qytetarët e BE-së. Është një prej prioriteteve më të mëdha të Komisionit të ri Evropian.

Shuica, duke prezantuar qëndrimin e Komisionit, ka thënë se gjatë konsultimeve Komisioni më shumë do të dëgjojë zërin e qytetarëve sesa të flas, sepse, sipas saj, janë qytetarët ata të cilët në fund të fundit do të vendosin se çfarë Evrope dëshirojnë në të ardhmen.

Komisioni Evropian është i hapur për shumë çështje, përfshirë edhe për ndryshimet e Traktatit të BE-së dhe rritjen e fushave ku vendimet do të merreshin me shumicë të kualifikuar të votave e jo me konsensus si deri me tash. Por, Komisioni Evropian nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin final.

Shuica ka thënë se Komisioni Evropian nuk ka dyshim se BE-ja në të ardhmen duhet të jetë e zgjeruar, se së pari është shumë e rëndësishme që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Zgjerimi i BE-së gjithsesi do duhej te jetë ndër pikat e agjendës, madje unë konsideroj se duhet të jetë e përfshirë në kapitullin “Evropa e fortë në botë”. Ju e dini qëndrimin e Komisionit Evropian në lidhje me zgjerimin. E dini situatën në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ku Komisioni e ka qëndrimin e qartë dhe i cili është pozitiv. Jam e sigurt se do donin edhe vet qytetarët të diskutojnë edhe për këtë gjë” ka thënë Shuica në konferencën për shtyp ku ka prezantuar dokumentin e Komisionit Evropian.

Sipas saj, rajoni i Evropës Juglindore është me rëndësi kyçe për BE-në në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit prandaj është e rëndësishme që në të ardhmen të jetë pjesë e BE-së dhe të gjenden edhe forma që të jenë edhe pjesë e diskutimeve kur të vendoset për të ardhmen e Evropës.

Ndonëse brenda BE-së procesi i zgjerimit ka nxitur dallime mes shteteve anëtare, Kroacia si kryesuese e radhës, sikur edhe Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, duan që zgjerimi të kthehet si prioritet.

Për këtë qëllim po përgatitet edhe një propozim i Komisionit Evropian për metodologjinë e re në proces ndërsa Kroacia në fillim të muajit maj do të organizojë një samit të përbashkët të BE-së me Ballkanin perëndimor.

XS
SM
MD
LG