Ndërlidhjet

SHBA-ja vendos rregulla të reja në "turizmin për lindje"


Ilustrim.
Ilustrim.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump synon të kufizojë “turizmin për lindje” të grave, të cilat shkojnë në Shtetet e Bashkuara me vizë turistike, por kanë qëllim të sigurojnë shtetësi për foshnjet e tyre që lindin në tokën amerikane.

Sipas rregullores së re të Departamentit amerikan të Shtetit, që do të hyjë në fuqi të premten, grave shtatzëna që aplikojnë për viza turistike mund t’u kërkohet të ofrojnë arsye specifike për udhëtim përveç lindjes, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Komplikimet shëndetësore mund të jenë një prej arsyeve.

Trump do të garojë për rizgjedhje në pozitën e presidentit në muajin nëntor, dhe fushata e tij ka në fokus migrimin legal dhe atë ilegal.

Përgjatë presidencës, ai ka kritikuar të drejtën për shtetësi për secilin person të lindur në Shtetet e Bashkuara.

Mirëpo ndryshimi i këtij rregulli kërkon nisjen e procedurave për ndryshime kushtetuese.

Aktualisht, asnjë ligj amerikan nuk u ndalon grave udhëtimin për të lindur në Shtetet e Bashkuara, ndonëse me raste zyrtarët u kanë kërkuar vizitorëve të tregojnë nëse kanë të holla të mjaftueshme për të mbuluar procedurat mjekësore nëse ndodh diçka e tillë gjatë udhëtimit.

Një zyrar i Departamentit të Shtetit ka thënë përmes një deklarate se rregulli i ri synon të adresojë rreziqet e sigurisë kombëtare, duke përfshirë aktivitetin kriminal, të lidhur me idustrinë për vizitë në SHBA, vetëm për qëllim të lindjes.

Kritikët kanë thënë se shqetësohen që rregulla e re mund të rezultojë me diskriminin.

Statistikat nga Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojën se rreth 9,300 fëmijë kanë lindur në Shtetet e Bashkuara nga nëna që jetojnë jashtë shtetit më 2017.

XS
SM
MD
LG