Ndërlidhjet

Kosova me qeveri të re


Nga protestues në kryeministër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Nga protestues në kryeministër

Me shumicë votash, kuvendi ka votuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Qeveria e re është rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kanë mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër. Pak para votimit, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate e kanë lëshuar sallën e kuvendit.

Pas votimit të qeverisë së re të Kosovës dhe dhënies së betimit nga kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar, Kurti tha se nga sot fillon një kapitull i ri për Kosovën.

"Me krijimin e qeverisë po jetësojmë edhe vullnetin e qytetarëve që e dhanë në zgjedhjet e 6 tetorit. Sot, nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kanë fituar qytetarët e Kosovës. Unë zotohem se do të angazhohem maksimalisht për të mirën e gjithë qytetarëve. Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme. Sot mbaron rruga e vjetër e klientelizmit dhe e pabarazisë. Nga sot ka një lidership te ri që do të kujdeset për shtetin. Sot fillon edhe një kapitull i ri për politiken e jashtme", tha Kurti pas zgjedhjes së tij kryeministër.

Video: Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës

Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka uruar formimin e qeverisë së re të Kosovës duke theksuar se bashkëpunimi me institucionet do të vazhdojë.

"Do të bashkëpunojmë me të gjitha instititucionet e Kosovës, palët tjera, shoqërinë civile, për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin si dhe për të ndihmuar ndërtimin e një marrëdhënie paqësore me fqinjët", tha Kosnett.

Edhe ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka përgëzuar formimin e qeverisë së re.

Ambasadori britanik në Prishtinë, Nicholas Abbot, përmes një postimi në Facebook, tha se "Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe kreativitet në implementimin e dëshirave të votuesve dhe shpresave të gjithë kosovarëve".

Kryeministri i deritanishëm Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka përgëzuar votimin për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Si u zhvillua seanca?

Në fillim të seancës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i dha fjalën mandatarit për kryeministër, Albin Kurti. Sapo ia kaloi fjalën atij, Konjufca u tërhoq duke lënë që seancën ta udhëheq nënkryetarja Arbërie Navagci.

Në elaborimin e programit qeverisës, Kurti tha se qeveria e tij do të jetë një “qeveri e kursimit të parasë publike”.

Kursimet tha ai, kanë nisur me reduktimin e ministrive nga 21 sa ishin në qeverinë paraprake në 15. Kurse nga 80 poste të zëvendësministrave, ai tha se qeveria e tij do të ketë rreth 33 sosh.

Po ashtu, theksoi Kurti, kursimet do të përfshijnë të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin ekonomik, shtimin e vendeve të reja të punës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet tjera evropiane.

“Në Kosovë sot ka më shumë treg të zi e të hirtë sesa treg të lirë. Ne këtë do ta ndryshojmë”, theksoi Kurti.

Ai tha se Administrata Tatimore dhe Dogana do të bashkohen për të lehtësuar mbledhjen e tatimeve.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti premtoi se buxheti do të arrijë në 3 miliardë euro. Kurse sa i përket tregut të punës, premtoi mbrojtje të punëtorëve, duke synuar që punonjësit të punojnë nga 8 orë në ditë apo 40 orë në javë. Për të respektuar këto kritere, Kurti tha se do të rrisë numrin e inspektorëve të punës që do të garantojnë zbatimin e ligjit.

Kurti tha se do të angazhohet që qeveria nën drejtimin e tij të luftojë korrupsionin, të nisë procesin e vetting-ut të përgjithshëm si dhe u zotua që shërbimi ushtarak në Kosovë të jetë i detyrueshëm, për një kohëzgjatje prej 3 muajve.

Nga aspekti politik, Kurti tha se është i gatshëm të udhëheqë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullahaxha-Kollçaku ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Kjo seancë është ngjarje historike, në Kosovën e pas pavarësisë, sepse për herë të parë opozita ka fituar. Sot kemi për të votuar Qeverinë Kurti dhe koalicionin që aq shumë e pritën qytetarët tanë. Porosia (v.j e qytetarëve) sot do të vihet në vend”, tha ajo.

Ndërkaq, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se programi qeverisës i hartuar nga LVV dhe LDK është i koordinuar nga dy partitë, që sipas tij, prek të gjitha fushat.

“Sot kemi një program qeveritar të koordinuar i cili i ka të gjitha fushat e mbuluara. Ky program, i hartuar nga LVV dhe LDK është një program plotësisht i dakorduar. Por sot, jemi para jush me një program të koordinuar dhe me një listë për ministra shumë të mirë dhe jemi para jush të kërkojmë besimin tuaj për qeverinë e re”, tha Gashi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se partia e tij nuk do të hesht më për akuzat që i janë bërë si dhe ka akuzuar mandatarin për kryeministër për mosnjohje të shtetit të Kosovës dhe lojëra për interesa personale.

"Si po ja lëjmë Kosovën një njeriu i cili nuk njeh shtetin e Kosovës dhe as nuk mendon të jetojë në të, Sot ti ke pranuar gjithçka dhe po i harron të gjitha vetëm për interesat tua. Nga sot, Albin dhe të gjithë ju, ne nuk do të heshtim, prej sot e tutje si do të silleni, por edhe për akuzat tuaja të deritashme nuk do të heshtet më".

"Duhet të tregosh edhe për përbërjen e qeverisë që e ke, a do ta luftosh Serbinë, apo neve me anë të Gjykatës Speciale", tha Veseli mes tjerash në fjalimin e tij.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu u shpreh kritike ndaj Albin Kurtit, i cili, sipas saj "duke gëlltitur fjalët dhe premtimet tashmë synon kreun e ekzekutivin".

"Ne e dimë që jeni mashtrues, por çdo ditë do ta kuptojnë edhe qytetarët", tha Haxhiu.

Haxhiu tha se qeveria e udhëhequr nga Kurti "do ta ketë jetën e shkurtër", duke shtuar se "urojmë që vendimi i qeverisë (v.j. së udhëhequr nga Ramush) Haradinaj për taksën 100 për qind për produktet serbe nuk do të preket".

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Famir Limaj tha se puna e LVV-së sa ishte në opozitë nuk ishte për lavdatë.

Ai e porositi partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, që “t’ia mësojë” Kurtit sesi funksionon shteti.

"Kosova ka kulturë demokratike. Për 20 vjet një njeriu që nuk e ka njohur Kosovën (v.j referencë për Albin Kurtin), për shumë kohë nuk e ka njohur flamurin e Kosovës, e nuk i është ngritur në këmbë himnit te Kosovës, sot Kosova i jep mundësin e zgjedhjes për kryeministër", tha Limaj, duke e porositur Kurtin se në bisedimet me Serbinë, asnjëherë nuk do të arrijë marrëveshje, e cila do të jetë e dëmshme për Kosovën.

Gjatë seancës kanë dominuar fjalimet e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, te cilët me radhë kanë marrë fjalën duke kritikuar Kurtin prezantimin e një qasjeje ndryshe politike, krahasuar me atë që mbante përderisa ai ishte në opozitë.

Përderisa Lista Serbe, e cila në Kuvend ka grupin parlamentar prej 11 deputetëve është deklaruar se nuk do të votojë për qeverinë e re, shpresat e Kurtit mbështeten te votat e komuniteteve joserbe, përkatësisht komuniteti turk, boshnjak, rom, egjiptian e ashkali, që së bashku kanë 9 ulëse në kuvend.

Kabineti qeveritar

Qeveria e re e Kosovës do të ketë 15 ministri. Kryeministri, pritet t’i ketë edhe dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj, qeveria pritet të ketë edhe 33 zëvendësministra.

  • Kryeministër i Kosovës - Albin Kurti (LVV)
  • Zëvendëskryeministër i parë - Avdullah Hoti (LDK)
  • Zëvendëskryeministër i dytë - Haki Abazi (LVV)
  • Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë - Glauk Konjufca (LVV)
  • Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (LVV)
  • Ministre e Drejtësisë - Albulena Haxhiu (LVV)
  • Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)
  • Ministër i Financave dhe Transfereve - Besnik Bislimi (LVV)
  • Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike - Agim Veliu (LDK)
  • Ministre e Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike - Rozeta Hajdari (LVV)
  • Ministër i Mbrojtjes - Anton Çuni (LDK)
  • Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)
  • Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Besian Mustafa (LDK)
  • Ministër i Shëndetësisë - Arben Vitia (LVV)
  • Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit - Vlora Dumoshi (LDK)
  • Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal - Emilia Rexhepi (Grupi 6+)
  • Ministër për Komunitet dhe Kthim - Dalibor Jevtiq (Lista Serbe)
  • Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviq (Lista Serbe)

*Video: Kurti dhe Mustafa njoftojnë se kanë arritur marrëveshje koalicioni

LVV dhe LDK nënshkruajnë marrëveshje koalicioni
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG