Ndërlidhjet

Paqartësi në shpalljen e rezultateve të demokratëve në Ajoa


Në Ajoa të Shteteve të Bashkuara u zhvillua rrethi i parë zgjedhor i cili përcakton mbështetjen për njërin nga kandidatët demokratë që synon nominimin për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Në fakt, votimi në Ajoa zhvillohet për zgjedhjen e 41 delegatëve për konventën e Partisë Demokratike e cila mbahet më vonë gjatë këtij viti.

Ngjarja në Ajoa është e rëndësishme sepse tregon kahjen e mbështetjes së demokratëve për kandidatët potencial për të fituar nominimin.

Mirëpo, procesi i publikimit të rezultateve të mbështetjes është zhytur në kaos.

Kjo, pasi është raportuar për problem teknologjik në procesimin e rezultateve.

Partia Demokratike e ka mohuar se bëhet fjalë për “hakim të kompjuterëve ose ndërhyrje”, duke shtuar se bëhet fjalë për rregulla të reja të raportimit të votimeve.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike në Ajoa, Mandy McClure tha se kanë "gjetur mospërputhje në raportimin e tre grupeve të rezultateve".

Ajo shtoi se "kjo është thjesht një çështje raportimi, pasi aplikacioni nuk ka rënë nga sistemi dhe nuk ka pasur ndërhyrje”.

Pavarësisht mungesës së rezultateve, disa kandidatë për të fituar nominimin e Partisë Demokratike, po pretendojnë kryesimin.

Senatori, Bernie Sanders foli për fitoren e tij, duke përmendur të dhënat e brendshme të fushatës që e vendosën atë përpara Pete Buttigieg, ish-kryebashkiaku i South Bend në Indiana.

Ndërkohë, zoti Buttigieg u citua të thoshte se "nga të gjitha indikacionet" fushata e tij po shkon drejt fitores në Nju Hampshër.

Ai i është referuar rrethit të parë zgjedhor që do të zhvillohet më 11 shkurt në Nju Hempshër.

Partia Demokratike tha se rezultati do të publikohet më vonë gjatë ditës së martë.

Rezultati mund të ofrojë disa qartësi se cili nga 11 kandidatët për nominimin e demokratëve do të fitojë një nominim në Ajoa.

Ky shtet ofron vetëm një numër relativisht të vogël të delegatëve në Kongresin kombëtar të partisë, por demografia e tij - kryesisht e bardhë me votuesit rurale - është shpesh vendi ku kandidati që garon për Shtëpinë e Bardhë, rrit gjasat e fitores.

Gjatë fushatës zgjedhore, dy çështje kanë qenë përparësi mes demokratëve të Ajoa-s: kujdesi shëndetësor dhe ndryshimet e klimës.

Që nga viti 1996, çdo demokrat që ka fituar mbështetjen e grupeve të Ajoas-a e ka siguruar nominimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Sondazhet duket se i japin senatorit të Vermontit, Bernie Sanders një epërsi të vogël ndaj tre kandidatëve të tjerë.

Sanders, ish nën-presidenti Joe Biden, senatorja e Masaçusets, Elizabeth Warren dhe ish-kryetari i South Bend në Indiana, Pete Buttigieg shihen si konkurentët kryesor.

Senatori i Minesotës, Amy Klobuchar, sipërmarrësi Andrew Yang, aktivisti miliarder Tom Steyer dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Tulsi Gabbard mund të kenë ndikim në garë.

Organizimi në Ajoa është një sistem i ndërlikuar që ngre tre grupe rezultatesh nga më shumë se 1.600 takime të vogla lokale për të përcaktuar 41 delegatët kombëtarë.

Këtë vit, 41 delegatët përfundimtarë do të zgjidhen më 13 qershor në konventën e shtetit.

Në korrik, ata pastaj do të kalojnë në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike, në të cilën delegatët që përfaqësojnë të gjitha shtetet dhe territoret amerikane zgjedhin kandidatin e partisë për zgjedhjet presidenciale.

Dita e zgjedhjeve presidenciale në SHBA është më 3 nëntor. Nga republikanët, sipas të gjitha gjasave, kandidon për rizgjedhje, presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG