Ndërlidhjet

Anëtarësimi në BE, tani përmes metodologjisë së re


Një çadër me simbolet e Bashkimit Evropian

Kolegji i Komisionit Evropian miratoi të mërkurën metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit në Bashkim Evropian, qëllim i së cilës është rivendosja e perspektivës së besueshme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi tha se metodologjia e re bazohet në katër parime themelore, atë të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.

Duke paraqitur këtë dokument, Verhely tha se ai do të shënojë një dinamikë të re në procesin e zgjerimit dhe do të mundësojë që të evitohen situatat në të cilat palët nuk kanë besim mes vete.

Sipas propozimit të Komisionit, vendet anëtare do të mund të angazhohen më shumë edhe në caktimin e kritereve edhe në vlerësimin se sa janë zbatuar ato. Por, kur të konstatohet zbatimi i kushteve nga vendet aspirante, atëherë, sipas metodologjisë së re, vendet anëtare të BE-së nuk duhet të pengojnë që procesi të kalojë në fazën e re.

Risi është po ashtu edhe kushti që asnjë kapitull të mos mund të mbyllet për negociata, para se të përmbushen kushtet kalimtare nga kapitulli që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Në këtë mënyrë, BE-ja forcon edhe më shumë kushtin për sundimin e ligjit në procesin e zgjerimit.

Parashihet edhe mundësia e pezullimit të fondeve të BE-së, me përjashtim të atyre që janë të dedikuara për shoqërinë civile, për ato shtete që shënojnë keqësim të situatës në fusha që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Metodologjia e re e anëtarësimit në BE dhe Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën në një konferencë për media kur është pyetur nga Radio Evropa e Lirë lidhur me metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit se Kosova duhet ta ndërtojë Bashkimin Evropian si vlerë dhe si standard brenda saj.

“Bashkimi Evropën mund dhe dëshirojë të na ndihmojë, por bartës të proceseve duhet të jenë institucionet e Kosovës. Ne jemi qeveri e cila e merr përgjegjësinë ta bëjë një shtet i cili një ditë i bashkohet Bashkimit Evropian", tha Kurti.

Njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, e shohin në mënyra të ndryshme këtë metodologji të Komisionit Evropian.

Besnik Vasolli, njohës i integrimeve Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë, se shtetet që kanë pasur aspirata për integrim në Bashkimin Evropian, kanë punuar një kohë për plotësimin e kritereve apo reformave, por më pas ato i kanë lënë në harresë.

Ai thotë se metodologjia e re ka për qellim që t'i mobilizojë ato shtete që në vazhdimësi t'i zbatojnë kriteret dhe jo t’i konsiderojnë ato dokumente vetëm sa për të thënë se po punojnë për plotësimin e tyre.

"Unë nuk e shoh këtë si negative, përkundrazi. Unë mendoj se kjo do t'i bëjë shtetet më llogaridhënëse dhe do të jenë më të kujdesshme për premtimet që do t'i bëjnë. Po ashtu nuk do të mbesin duke miratuar ligje dhe strategji e pastaj zbatimin e tyre ta lënë fare anash, siç e dimë që ndodh edhe në Kosovë edhe në shtetet e tjera të rajonit. Kështu që mendoj që mbi të gjitha nuk është edhe aq negative sa duket në fillim", tha Vasolli.

Kjo metodologji do të zbatohet në rastin e Maqedonisë dhe Shqipërisë që presin vendimin për nisjen e negociatave, ndërsa në të ardhmen potencialisht edhe me Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën që mund të jenë kandidate një ditë.

Por, për Malin e Zi dhe Serbinë do të vlejë korniza negociuese e BE-së e cila është në fuqi dhe se metodologjia e re ndaj këtyre dy vendeve do të mund të zbatohet vetëm nëse këto dy shtete pajtohen me një gjë të tillë.

Komisionari i zgjerimit, Verhely, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë do të thotë kjo për Kosovën dhe a mund të llogaris edhe Kosova se një ditë do të bëhet me status kandidati, ka thënë se Komisioni ka mirëpritur formimin e qeverisë së re në Kosovë si një zhvillim që duhet përshëndetur.

Ndërsa në lidhje me gatishmërinë e Kosovës për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ai tha se është i gatshëm për bashkëpunim, duke rikujtuar se që nga Samiti i Selanikut është thënë se i tërë Ballkani Perëndimor, pra edhe Kosova, ka perspektivë të anëtarësimit në BE. Këto zotime, u tha se do të përsëriten edhe në Samitin e Zagrebit.

Donika Emini, njohëse e proceseve integruese, thotë për Radion Evropa e Lirë, se iniciativa për hartimin e kësaj metodologjie ka nisur që nga muaji shtator i viti të kaluar, por sipas saj, nuk ka shumë dallime nga metodologjia e kaluar.

Ajo thotë se e meta e parë që vërehet është se si hartimi i një dokumenti është bërë pa praninë ose pa konsultimin e vendeve për të cilat do të aplikohet kjo metodologji.

"Metodologjia e re është e ngjashme me atë të vjetrën, por i ndan në kategori pak më të gjera. Pra, nuk i ka 35 kapituj i ka vetë 7 [klasters] kategori. Problemi është se a do të ketë vullnet politik nëse është ndryshuar kjo metodologji dhe a mund të sjellë një frymë të re të vullnetit polik brenda BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për integrime evropiane. Kjo mbetet një pikëpyetje e madhe", tha Emini.

Kjo metodologji, thekson Emini, e ka rritur mundësinë që Ballkani Perëndimor të bllokohet sa i takon integrimit.

Kurse, Besnik Vasolli thotë se një metodologji e tillë në rastin e Kosovës do të mund të praktikohet sikurse edhe me shtetet e rajonit.

"Nëse flasim për këtë pikë të metodologjisë së re, rastin e kemi me liberalizimin e vizave. Ne një kohë ishim shumë të zëshëm. Zbatuam kriteret, Komisioni Evropian dha rekomandimin, por siç duket tash kohën e fundit i kemi lënë pak anash, nuk jemi duke i zbatuar ato në vazhdimësi”, thotë Vasolli.

Metodologjia e re e bën të mundur pezullimin ose kthimin në fillim të bisedimeve të pranimit, në rastet kur vendet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë.

BE-ja pret nga liderët e vendeve të rajonit që të jenë më të sinqertë në qëllimet e tyre dhe më transparentë dhe të bëjnë më shumë në përshtatjen me politikat e Bashkimit Evropian.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG