Ndërlidhjet

Grenell i thotë Veselit se taksa duhet të hiqet


Ambasadori, Richard Grenell
Ambasadori, Richard Grenell

I dërguari i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell përmes një postimi në Twitter, i ka thënë kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka të drejtë në këtë drejtim.

“Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të heqë tarifat 100%. Ajo e dëmton Kosovën dhe pengon bizneset në krijimin e vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, ka shkruar Grenell.

Të enjten kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shprehur shqetësim, për siç ka thënë ai “ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe”.

Sipas kryetarit të partisë më të madhe opozitare në Kosovës, “Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”.

Partia e Veselit ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar, kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim për taksën në nëntor të vitit 2018.

Thirrje për heqje të taksës patën bërë si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian, mirëpo Haradinaj nuk ishte zmbrapsur.

Më 6 shkurt, edhe vetë Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të mos heqë dorë nga kjo masë.

Përmes një letre të hapur, Haradinaj ka thënë se “"në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.

Në fund të vitit 2018, qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Haradinaj, vendosi taksën ndaj mallrave serbe, për shkak të siç kishte thënë "fushatës agresive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe lobimit kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare".

Beogradi menjëherë pezulloi pjesëmarrjen në bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, kryeministri Kurti tha se qeveria e tij, nuk i vë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike, por edhe arsye aktuale.

“Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”, tha Kurti me 5 shkurt, gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë pas takimit me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliyia Apostolova.

XS
SM
MD
LG