Ndërlidhjet

Erdogan kërcënon me sulme nëse plagosen sërish forcat turke


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë të mërkurën se nëse sulmohet edhe një ushtar turk, ushtria e shtetit që ai udhëheq do të sulmojë forcat siriane të mbështetura nga Rusia, gjithandej nëpër Siri.

Erdogan ka thënë se Turqia është e vendosur që të largojë forcat siriane përtej zonave që mbikëqyrin trupat turke në provincën Idlib, andaj u ka bërë thirrje rebelëve sirianë që të mos u japin forcave qeveritare arsye për të sulmuar.

Dhuna ka shpërthyer në Idlib, javë më parë, pasi forcat qeveritare të përkrahura nga Rusia dhe Irani kanë zgjeruar fushatën e tyre për të fituar kontrollin e zonës së fundit që drejtohet nga rebelët në Siri.

Për pasojë, edhe Turqia, që është e lidhur me disa grupe rebele në Siri ka kryer sulme të martën, pasi 13 ushtarë turq janë vrarë në 10 ditët e fundit.

“Nëse u krijohet edhe plaga më e vogël ushtarëve tanë, unë po them sot se do të qëllojmë forcat e regjimit kudo që janë, pavarësisht kufijve të Idlibit dhe marrëveshjes së Soçit”, ka thënë Erdogan, duke iu referuar paktit për armëpushim të nënshkruar më 2018.

Qeveria Siriane në anën tjetër i ka përshkruar deklaratat e Erdoganit si “shkëputje nga realiteti”.

“Kreu i regjimit turk vjen me deklarata boshe, një person i shkëputuar nga realiteti”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar një burim të ministrisë së Jashtme.

XS
SM
MD
LG