Ndërlidhjet

Ligji për Prokurorinë Publike mund të shtyjë datën e zgjedhjeve?


Ndërtesa e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
Ndërtesa e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Seanca parlamentare për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike në Maqedoninë e Veriut, është pasuar me shumë pauza, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës lidhur me procedurën e miratimit të këtij ligji, që është vendosur si kusht nga socialdemokratët e ish-kryeministrit Zoran Zaev, para se të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje më 12 prill.

Përderisa pushteti ka theksuar se Ligji për Prokurorinë Publike është në harmoni të plotë me kërkesat e Bashkimit Evropian për realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë, opozita ka drejtuar akuza se me këtë ligj synohet të shpëtojë pushteti nga krimet e bëra.

Reagime të shumta nga opozita ka nxitur mosparaqitja e ministres së Drejtësisë, Renata Deskovska, në foltoren e Kuvendit për të mbrojtur ligjin e propozuar nga dikasteri i saj për punën e Prokurorisë Publike.

Por, Deskovska në profilin e saj në rrjetin social, Facebook, ka sqaruar se ka vendosur të heshtë me qëllim që të kursehet koha për të kaluar sa më shpejt ligji, e me këtë të shpërndahet edhe Kuvendi në afatin e paraparë.

“Shihet qartë qëllimi i disa partive politike që ta pengojnë procesin e miratimit të ligjit për Prokurorinë Publike dhe ligjit për Këshillin e Prokurorëve. Është më se e qartë strategjia e VMRO DPMNE-së që mbi 30 deputetë të VMRO-së të paraqiten për replikë ndaj fjalimit tim dhe kjo do të nënkuptonte 2,5-3 orë shtesë me replika dhe kundër-replika. Për këtë arsye vendosëm që as unë, e as deputetët e tjerë të LSDM-së dhe koalicionit të mos paraqitemi për fjalë, kështu që kursyem afro 8 orë debate”, ka shkruar Deskoska.

Deputetët e Lidhjes Social Demokrate kanë theksuar se do të tërhiqen nga debati për Ligjin për punën e Prokurorisë për të mos humbur kohë duke theksuar se nëse sot miratohet ligji në fjalë, i jepet shans shpërbërjes së Kuvendit po këtë ditë.

“Qëllimi ynë është miratimi i këtyre ligjeve para shpërbërjes së Parlamentit. Para 16 shkurtit. Prioriteti jonë është miratimi i Ligjeve, përfshi edhe këto të drejtësisë dhe të tjerëve që janë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Jovan Mitrevski nga LSDM-ja.

Por, deputetët e VMRO DPMNE-së kanë theksuar se pushteti dëshiron që me çdo kusht të miratojë Ligjin për Prokurorinë Publike, sepse përmes këtij ligji, siç janë shprehur, synohet të shpëtojnë krerët e LSDM-së.

“Sido që të jetë, do të vazhdoj në mënyrë retorike të shpjegoj se pse ministrja nuk dëshiron që ta elaborojë këtë ligj dhe pse shpejtojnë ta miratojnë sa më shpejt këtë ligj. Kjo është për arsye se dëshirojnë të shpëtojnë personin Z.Z, i cili është i përzier në rastin ‘Reketi’”, ka theksuar deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshovski

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se përplasjet rreth Ligjit për Prokurorinë Publike dhe mosmiratimi i të njëjtit mund të çojë edhe në prolongimin e zgjedhjeve, për ç’gjë 6 muaj më parë u dakorduan krerët e partive politike parlamentare që ato të mbahen më 12 prill.

“Këto që merren me analiza dhe hulumtimin e opinionit publik, thonë se Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë nuk qëndron aq mirë në rejting për shumë arsye. Dhe, kjo çon në indicie sikurse kërkohet ndonjë lloj preteksti që duke tentuar, madje, dhe të shpikë ndonjë pretekst që të shtyhen zgjedhjet që të ketë edhe një afat kohor mbase për të rregulluar rejtingun e partisë përkundër dakordimit të liderëve kryesorë politikë rreth datës së zgjedhjeve dhe proceseve teknike, duke filluar nga formimi i Qeverisë teknike siç parashihet me ligj, deri te përgatitjet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor që zgjedhjet të mbahen më 12 prill”, thekson për Radion Evropa e Lirë publicisti Arben Ratkoceri.

Ai gjithashtu komenton përplasjet edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, përkatësisht kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, që të dakordohen sa më parë liderët nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës nëse dëshirojnë zgjedhje më 12 prill. Reagimi i Xhaferit erdhi pas statusit në rrjetin social, Facebook, të sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së, Lupço Nikollovski, i cili kishte shkruar se është koha që LSDM-ja të formojë shumicë të re parlamentare dhe të punojë për zgjedhje të rregullta dhe jo zgjedhje të parakohshme, në rast se edhe më tej pengohet sjellja e ligjeve të rëndësishme.

“Kjo deklaratë e zotit Talat Xhaferi paraqet njëfarë lloj guximi nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim se ata janë në gjendje të kalojnë në opozitë deri në datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare duke mos bërë kompromis nga ajo për çka arritën ujdi në takimin e liderëve te presidenti i shtetit”, thotë Ratkoceri

Ndryshe, krerët e partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, kanë theksuar se po qe se deri të dielën, më 16 shkurt, nuk shpërndahet Kuvendi, vendi do të hyjë në një krizë të re të thellë politike duke nënvizuar se kjo parti do të shqyrtojë mundësi të tjera, duke mos përjashtuar edhe daljen në rrugë dhe masat e tjera demokratike.

XS
SM
MD
LG