Ndërlidhjet

Fillon gjyqi ndaj të akuzuarve për rrëzimin e aeroplanit në Ukrainë


Vendi ku është rrëzuar avioni i kompanisë Malaysia Airlines në Ukrainë.

Ka filluar në Holandë gjyqi ndaj tre rusëve dhe një qytetari ukrainas të cilët akuzohen për rrëzimin e aeroplanit të Malajzisë më 2014-të në Ukrainën lindore të kontrolluar nga separatistët.

Të dyshuarit - shtetasit rusë Igor Girkin, Sergei Dubinsky, dhe Oleg Pulatov, dhe ukrainasi, Leonid Kharchenko - akuzohen për vrasjet e 298 pasagjerëve dhe ekuipazhit të fluturimit MH17.

Aeroplani që fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur, u qëllua nga një raketë anti-ajrore e prodhuar nga Rusia.

Të katër të akuzuarit nuk u paraqitën në gjykatën e sigurisë së lartë, pavarësisht lëshimit të urdhër-arresteve ndërkombëtare për arrestimin e tyre.

Viktimat përfshinin 193 shtetas holandezë, 43 malajziasë dhe 38 australianë.

Të dyshuarit mbajnë poste të larta në formacionet e separatiste të mbështetur nga Rusia, që kanë luftuar forcat e qeverisë ukrainase, në lindje të Ukrainës që nga pranvera e vitit 2014.

Përkundër provave që ushtria ruse ishte e përfshirë drejtpërdrejt në gjuajtjen e fluturimit MH17 me një raketë të shkrepur nga territori i kontrolluar nga separatistët në lindje të Ukrainës, Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo përfshirje.

Rusia gjithashtu mohon se ofron ndonjë mbështetje ushtarake ose financiare për separatistët pro-Rusi të Ukrainës, megjithë provat e mbledhura nga Ekipi i Hetimit të Përbashkët të Drejtuar nga Holanda.

Në prag të gjykimit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha në rrjetin social Twitter se ai beson që "drejtësia do të mbizotërojë dhe se ata që janë fajtorë, do të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 298 njerëzve të pafajshëm".

Kryeministri i Holandes, Mark Rutte, tha më 6 mars se gjyqi ishte "një hap shumë i rëndësishëm drejt zbulimit të së vërtetës dhe kërkimit të drejtësisë për viktimat dhe të mbijetuarit e tyre".

Rutte tha gjithashtu se ka të ngjarë të ketë gjyqe të tjera në lidhje me tragjedinë MH17.

"Hetimi për përfshirjen e individëve të tjerë po vazhdon," tha ai.

Gjyqi pritet të zgjasë pothuajse gjatë tërë vitit 2020.

XS
SM
MD
LG