Ndërlidhjet

Talibanët kundërshtojnë dekretin e presidentit afgan për të burgosurit


Suhail Shaheen, zëdhënës i talibanëve në Doha.
Suhail Shaheen, zëdhënës i talibanëve në Doha.

Talibanët kanë thënë se një dekret i lëshuar nga presidenti afgan, Ashraf Ghani për lirim të 1,500 talibanëve të burgosur, është në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar me Shtetet e Bashkuara për negociata, ashtu që të arrihet paqja me grupin militant.

Ky dekret, i nënshkruar nga Ghani më 10 mars, parasheh lirimin e 1,500 të burgosurve brenda 15 ditëve, ndërkohë që zhvillohen bisedime paralele në mes të qeverisë dhe talibanëve.

Lirimi i të burgosurve ka për qëllim ndërtimin e besimit në mes të qeverisë së përkrahur nga perëndimi në Kabul dhe nisjen e bisedimeve direkte për dhënien fund të luftës 18-vjeçare në këtë shtet.

Nëse negociatat kanë sukses, qeveria do të lirojë nga 500 të burgosur çdo dy javë, derisa të lirohen një total prej 5,000 personave.

Mirëpo Suhail Shaheen, zëdhënës i talibanëve në Doha, ka thënë se një marrëveshja për paqe e nënshkruar me Uashingtonin muajin e kaluar përcakton që fillimisht duhet të lirohen 5,000 të burgosur dhe më pas të fillojë dialogu.

“Ne nuk jemi pajtuar kurrë për ndonjë kusht rreth lirimit të të burgosurve”, është cituar të ketë thënë Shaheen sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.

Sipas marrëveshjes, e cila është përkrahur edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, talibanët duhet të ndalin dhunën dhe t’ua pamundësojnë grupeve ekstremiste operimin në zonat që kontrollojnë.

Shtetet e Bashkuara po ashtu janë pajtuar për zvogëlim të numrit të trupave nga 12,000 në 8,600 brenda 135 ditëve.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001 duke larguar nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Nga ajo kohë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve, së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë ekstremistë dhe civilë.

XS
SM
MD
LG