Ndërlidhjet

Refuzohet kërkesa e sekretarit të Zyrës së presidentit serb për të vizituar Kosovën


Nikolla Selakoviq

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës njoftoi se ka refuzuar kërkesën e sekretarit të përgjithshëm të Zyrës së Presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq, që ta vizitojë Republikën e Kosovës më 14 mars.

"Kërkesa u refuzua për shkak të arrestimit të padrejtë dhe mbajtjes së vazhdueshme në paraburgim nga autoritetet e Beogradit, të qytetarit të Republikës së Kosovës, z. Nezir Mehmetaj, edhe pse të gjitha faktet tregojnë se ai do të duhej të lirohej sa më parë", thuhet në njoftim.

Nezir Mehmetaj është arrestuar nga policia serbe më 4 janar, 2020, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga Zvicra në Kosovë, nën, siç është thënë, dyshimet për krime lufte.

Autoritetet e Kosovës, disa herë, kanë bërë thirrje për lirimin e tij, ndërsa më herët u kanë sugjeruar qytetarëve të Kosovës që të shmangin qarkullimin nëpër Serbi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës tha se kërkesat për vizita të zyrtarëve serbë do t’i shqyrtojë vetëm pas lirimit të Mehmetajt.

XS
SM
MD
LG