Ndërlidhjet

Putin shtyn votimin e ndryshimeve kushtetuese për shkak të koronavirusit


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka shtyrë votimin për ndryshimet kushtetuese, që do t’i mundësonin atij qëndrim më të gjatë në pushtet, për shkak të shqetësimeve për koronavirusin.

Ai tha se votimi, i paraparë të mbahej më 22 prill, do të shtyhet për “një datë të mëvonshme”.

Mandati aktual i Putinit - i dyti i njëpasnjëshëm gjashtëvjeçar - ka qenë e paraparë të përfundojë në vitin 2024.

Kushtetuta e deritashme ia ka ndaluar të garojë për mandatin e tretë radhazi.

Por, me ndryshimet e fundit, Putin mund të garojë edhe për një mandat më 2024, edhe për një tjetër më 2030.

Të mërkurën, Putin po ashtu tha se rusët nuk do të punojnë javën e ardhshme “për të ngadalësuar shpejtësinë” e koronavirusit.

Rusia, aktualisht, ka 658 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa një pacient atje ka humbur jetën.

XS
SM
MD
LG