Ndërlidhjet

Portugalia u garanton imigrantëve të drejta sikurse shtetasve tjerë


Pamje nga Lisbona.
Pamje nga Lisbona.

Imigrantëve pa dokumente dhe azilkërkuesve në Portugali u janë garantuar të njëjtat të drejta sikurse shtetasve të tjerë në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përfshirë qasje në kujdes shëndetësor, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

“Kjo nuk është rregullore automatike”, ka thënë Agjencia për Kontrollin Kufitar, SEF, për agjencinë e lajmeve AFP, duke dhënë shenja se procesi i imigrimit duhet të rikthehet në fillim të muajit korrik.

Policia kufitare nuk ka treguar se sa njerëz janë prekur nga kjo masë, e cila ka nisur së zbatuari të premten, duke iu krijuar qasje migrantëve në kujdes shëndetësor dhe ndihma sociale, të siguruara nga shteti.

Vendimi i Portugalisë është mirëpritur të hënën nga Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq.

“Është një praktikë e mirë e mbrojtjes së njerëzve të ndjeshëm dhe të vepruarit me përgjegjësi ndaj pandemisë”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Gjendja e jashtëzakonshme në këtë shtet, e shpallur më 18 mars, pritet të zgjatet të mërkurën edhe për dy javë të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare, Portugalia ka raportuar për 6,400 persona të infektuar dhe 140 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.

Për lajmet e reja rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG