Ndërlidhjet

Kushtetuesja e shpall të pavlefshëm vendimin e qeverisë për kufizim të lëvizjes


Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin ta shpallë të pavlefshëm.

Gjykata ka konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Vendimi hyn në fuqi më 13 prill.

“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Vendimi i qeverisë ishte i bazuar në dy ligje, Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe Ligjin për shëndetësi.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, këto dy ligje nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë mirëpo e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të marrë masa në ato ligje.

“Gjykata theksoi faktin që Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, Gjykata konstatoi se ligjet e lartcekura, nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese të përcaktuara me nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Zëvendëkryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi, thotë për Radion Evropa e Lirë që Gjykata Kushtetuese nuk e ka arsyetuar deri në fund faktin se pse është jokushtetues vendimi i Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, i 23 marsit 2020.

Sipas tij, kjo gjykatë ka lënë hapësirën të kuptohet që autoriteti që duhet të marrë një vendim të tillë, sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, duhet të jetë Ministria e Shëndetësisë dhe jo qeveria.

“Krejt kjo që po ndodhë në një situatë të pazakontë dhe në një pandemi globale, që s’ka ndodhur asnjëherë dhe është vështirë të parashihet në çdo aspekt me ligjet paraprake, sikur ka lënë gjithashtu arsyeshmërinë në anën tjetër, duke e vendosur në fuqi vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 13 prill. Kjo, së bashku, tregon që në fakt, vendimi (i qeverisë) ka qenë i drejtë në mbrotjen e shëndetit dhe jetës së njeriut, e cila është gjithashtu masë që futë përbrenda mbrotjen e të drejtave të njeriut dhe nuk e përjashton të drejtën e njeriut”, tha Abazi.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës në detyrë do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ndërkohë do të bëjë më të mirën e mundshme që të sigurojë të gjitha masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren patjetër në bazë të zhvillimeve në terren.

“Ne shpresojmë që të mos kemi fare nevojë për masa të reja, mirëpo, sidoqoftë, jemi në përgatitje dhe mobilizim të plotë që të mbrohen jetët e njerëzve dhe të mos përsëriten skenarët që i kemi parë në Itali dhe vende të tjera të botës”, ka thënë Abazi.

Lidhur me vendimin e së martës të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës..

Në faqen e saj të internetit, ky subjekt politik ka shkruar se e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ‘për ta shpallur kundërkushtetues vendimin e qeverisë Kurti për kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore’.

“Aktgjykimi i sotëm konfirmon ruajtjen e karakterit kushtetues dhe rendit demokratik të shtetit tonë ndaj çfarëdo përpjekjeje dashakeqëse të politikanëve, e fatkeqësisht në këtë rast të një qeverie, për ta marrë në dorë suprimimin e lirive e të drejtave të qytetarëve të Kosovës të cilat garantohen me Kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK-ja gjithashtu, ka kërkuar nga qeveria në detyrë dhe aktorët e tjerë që ta respektojnë këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimin e qeverisë të datës 23 mars për kufizim të masave të lëvizjes e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ju informoj se duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim antikushtetues, si president i vendit duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore kam vendosur t'i drejtohem Gjykatës Kushtetuese në kërkesë për interpretim të çështje së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”, pati deklaruar Thaçi.

XS
SM
MD
LG