Ndërlidhjet

Rusia e quan manipulim heqjen e tarifës, reagon ministria e Jashtme e Kosovës


Flamuri rus.
Flamuri rus.

Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate, ka shprehur qëndrimin lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës në detyrë, për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e masës së reciprocitetit.

“Autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të manipulojnë me temën e heqjes së tarifave doganore 100 për qind për mallrat nga pjesa qendrore e Serbisë, të cilat u vendosën në nëntor 2018, dhe rezultuan që procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës të ndalet", thuhet në deklaratë.

Nga 1 prilli, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës.

Në rastin e Serbisë, atë e ka zëvendësuar me masa reciprociteti, kurse ndaj Bosnjës nuk ka marrë ndonjë masë shtesë.

Por, për autoritetet ruse, ky vendim është “një gjest tjetër i demagogjisë së ushtruesit të detyrës së kryeministrit, Albin Kurti".

“Kështu, kosovarët nuk e kanë zbutur qëndrimin, ashtu siç u kërkuan mbrojtësit e tyre perëndimorë, por përkundrazi i forcuan parakushtet e tyre. Është thënë se edhe Uashingtoni, i cili mbështet plotësisht ‘pavarësinë e Kosovës’, ishte kritik për veprimin e fundit të Prishtinës. Ky veprim me qëllim e vonon mundësinë e rifillimit të dialogut me Beogradin”, thuhet në deklaratë.

Rusia e quan të çuditshëm edhe reagimin e Bashkimit Evropian, pasi që, siç thuhet BE-ja “duhet të përgjigjet me një vlerësim të matur të situatës pa favorizuar asnjë nga palët”.

Moska kërkon nga autoritetet e Kosovës heqjen pa kushte të masave ndaj Serbisë.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, sipas së cilës, masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës.

“Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës, duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës. Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve”, thuhet në reagim.

Tarifa ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga qeverish e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Masa ishte marrë për shkak të, siç thuhej, fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kundër pavarësisë së saj.

Për shkak të tarifës, Beogradi pezulloi pjesëmarrjen në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe dhe vendosjes së masës së reciprocitetit, nga ana e qeverisë në detyrë të Kosovës, Bashkimi Evropian e ka mirëpritur këtë hap.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

"Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19", tha ai në Twitter.

Por, Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, thanë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG