Ndërlidhjet

Opozita kundërshton kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në Kosovë


Kosova gjatë pandemisë
Kosova gjatë pandemisë

Partitë opozitare në Kosovë e kanë kundërshtuar vendimin e ministrisë së Shëndetësisë për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës, si masë kundër koronavirusit.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate ka thënë se "është e alarmuar nga vendimi i fundit i Qeverisë së shkarkuar Kurti, që ka zgjedhur mos ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke ndërmarrë një vendim që bën të njëjtën shkelje, për të cilën është shprehur kjo gjykatë".

"Derisa qytetarët janë duke respektuar këshillat e profesionistëve shëndetësorë, Qeveria në ikje, e kapluar nga paniku i përkeqësimit të situatës pandemike, pa reshtur, po vazhdon shkeljet ligjore dhe kushtetuese", thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike të Kosovës.


Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media me trupin qeveritar anti-COVID-19, ka njoftuar se që nga data 15 prill në ora 06:00, në bazë të vendimit të ri, qytetarët e Kosovës nuk do të lejohen të dalin nga shtëpitë. Ata do të kenë të drejtë të lëvizin në rrugë vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.

Më 31 mars, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që masa e 23 marsit 2020 e Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtën e shpalli të pavlefshme.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti duke paralajmëruar masa shtesë kundër pandemisë, ka thënë më 12 prill se pas vendimit të Gjykatës, tash e tutje në Kosovë masat do të merren nga Ministria e Shëndetësisë.

Reagime ndaj vendimit të ministrisë së Shëndetësisë pati edhe nga lideri i Aleancës për Ardhmërinëe e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se me këto masa rendi kushtetues është cënuar rëndë.

"Qeveria e Kosovës, me këtë vendim anti-kushtetues, ka uzurpuar pushtetin. Duke e injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria ka cënuar rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Veprimet anti-kushtetuese, me gjithë gjendjen e krijuar nga pandemia, nuk mund të tolerohen. Kosova është Republikë parlamentare dhe kushtetuese dhe çdo ndërhyrje ose uzurpim pushteti është i dënueshëm", ka shkruar Haradinaj.

Reagime ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një ish-partnere qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Deputeti i kësaj partie, Arban Abrashi ka thënë se "qeveria me masa e me forcë, po e merr pushtetin që nuk i takon".

Me tone kritike e ka komentuar vendimin, edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Dastid Pallaska. Sipas tij kjo është pasojë e përplasjeve personale ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

"Avokati i Popullit duhet të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve, që po shkelen me vendimet qeveritare për masat kufizuese ndaj COVID-19 për shkak të konfliktit personal të Kryeministrit në ikje me Presidentin.Vendimi kundër-kushtetues i Ministrisë së Shëndetësisë duhet të sfidohet në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit. Ndryshe, vendi rrezikon të futet në një spirale vetë-shkatërruese që tejkalon edhe rrezikun nga pandemia", ka shkruar Pallaska.

Kosova gjatë kohës së pandemisë është përfshirë edhe nga kriza politike pasi Kuvendi i Kosovës e rrëzoi qeverinë e Kurtit pas një mocioni të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

XS
SM
MD
LG