Ndërlidhjet

India zgjat izolimin për shkak të koronavirusit deri më 3 maj


Nju Delhi, Indi

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka zgjatur izolimin e këtij vendi deri më 3 maj.

Izolimi fillestar ka nisur më 25 mars dhe është dashur të skadojë më 15 prill.

“Distancimi social dhe izolimi kanë ndihmuar vërtet. Vendimi për vazhdim të izolimit duket shumë i kushtueshëm ekonomikisht. Por, nuk mund të ketë kosto për jetën e qytetarëve të Indisë”, tha Modi në një fjalim drejtuar kombit.

India, deri më tash, ka raportuar për afro 9,000 raste aktive të koronavirusit dhe 339 viktima.

Nën masat e izolimit mund të punojnë vetëm bizneset thelbësore, të tilla si dyqanet ushqimore dhe barnatoret.

Shërbimet e transportit në qytet janë të kufizuara vetëm për stafin emergjent dhe për ata që kanë leje të posaçme udhëtimi.

Trenat dhe fluturimet janë të pezulluara po ashtu.

Modi tha se rregullat mund të forcohen më tej gjatë javës së ardhshme, por ai nuk dha më shumë detaje.

Ai tha se qeveria do të nxjerrë "udhëzime" së shpejti.

XS
SM
MD
LG