Ndërlidhjet

Shkon në 10 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë


Ilustrim.

Një grua 73-vjeçare nga Peja ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Ajo ishte diagnostikuar me koronavirus dhe ishte duke u trajtuar nga data 25 mars në këtë Klinikë.

Ministria e Shëndetësisë njofton se M.B, krahas koronavirusit ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Klinika Infektive njofton se pacientja M.B. e lindur më 1947, nga komuna e Pejës, e cila ishte e hospitalizuar në Klinikën Infektive në Departamentin e Mjekimit Infektiv, e diagnostikuar me Covid-19 dhe e cila është trajtuar nga data 25 mars deri më 16 prill 2020, ka ndërruar sot jetë në këtë klinikë”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 10 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

QKUK, njoftoi mëngjesin e sotëm se në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 63 pacientë të prekur nga koronavirusi.

Prej tyre, 50 raste janë në gjendje stabile, 10 raste ishin në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.​

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG