Ndërlidhjet

Serbia lehtëson disa masa kundër koronavirusit


Beograd, Serbi

Qeveria e Serbisë do t’i lehtësojë disa masa të kufizimit, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Disa biznese të vogla, përfshirë mekanikët e makinave, këpuctarët dhe libraritë, do të lejohen të punojnë nga sot.

Qeveria serbe tha se bizneset duhet të zbatojnë disa masa të rrepta për parandalimin e sëmundjes, të tilla si veshja e maskave dhe dorezave, si dhe dezinfektimi.

Qendrat tregtare, kafenetë, restorantet, shkollat dhe kopshtet do të mbeten të mbyllura.

Ora policore gjatë natës do të shkurtohet për një orë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndërmarrë muajin e kaluar disa nga masat më të rrepta në Evropë, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Gjatë fundjavës së kaluar, qeveria ka vendosur shtet-rrethim 84-orësh, për të parandaluar shoqërimin e njerëzve gjatë Pashkëve Ortodokse.

Serbia ka mbi 6,600 të infektuar me koronavirus dhe 125 viktima.

XS
SM
MD
LG