Ndërlidhjet

Quint-i thotë se nuk perfshihet në pozicionet politike në Kosovë


Flamujt e disa vendeve evropiane dhe ai i SHBA-së
Flamujt e disa vendeve evropiane dhe ai i SHBA-së

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe SHBA-ve, përmes një komunikate kanë thënë se "pjesëmarrja në takime me udhëheqës institucional dhe politikë nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi.

"Ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike", thuhet në komunikatën e vendeve të Quint-it.

Deklarata bëhet disa orë, pasi këta ambasadorë, zhvilluan takime të ndara me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se i ka njoftuar ambasadorët e Kuintit për hapat e ndërmarrë për krijimin e qeverisë së re.

“Pas konsultimeve me partitë politike i kam kërkuar Kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, të ofrojë kandidatin apo kandidaten për formimin e Qeverisë së re”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në postimin e Thaçit.

Ndërkaq sipas një komunikate për media, kryeministri Kurti në takim ka theksuar se veprimet e fundit të presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik. Ai ka thënë se si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar.

"Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë", citohet të ketë thënë Kurti.

Më herët, kryeministri Kurti ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për aktgjykim, sapo që presidenti Hashim Thaçi, të mandaton një kandidat për kryeministër, pa partinë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast pa Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, 2019, në të cilat fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës pati votuar formimin e qeverisë së koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 3 shkurt, me kryeministrin, Albin Kurti.

Por, partitë partnere, nuk arritën të funksionojnë bashkë si koalicion as dy muaj të plotë. Kështu që më 25 mars, me nismën e LDK-së dhe mbështetjen e opozitës, Kuvendi kishte votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, e cila që nga ajo kohë është qeveri me funksione të kufizuara, pasi që është vetëm një qeveri në detyrë.

XS
SM
MD
LG