Ndërlidhjet

Talibanët refuzojnë ofertën për armëpushim gjatë muajit të Ramazanit


Disa të burgosur taliban të liruar nga qeveria afgane.

Talibanët kanë refuzuar një ofertë nga qeveria afgane, për armëpushim gjatë muajit të Ramazanit, duke thënë se një veprim i tillë nuk është "i arsyeshëm".

Të dyja palët kanë mosmarrëveshje mbi procesin e paqes.

Oferta u bë më 23 prill nga presidenti afgan, Ashraf Ghani, para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërsa Afganistani lufton me pandeminë në rritje të koronavirusit.

Zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, e hodhi poshtë ofertën, duke thënë se militantët do të vazhdojnë të luftojnë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me qeverinë lidhur me një marrëveshje të mundshme paqeje si dhe vonesat në shkëmbimin e të burgosurve.

"Të kërkosh armëpushim nuk është e arsyeshme dhe bindëse", shkroi Shaheen në Twitter derisa akuzoi qeverinë se po rrezikon jetën e të burgosurve gjatë pandemisë.

Një marrëveshje historike e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe talibanët, më 29 shkurt, bën thirrje që qeveria afgane të lirojë 5,000 luftëtarë talibanë si një masë e ndërtimit të besimit, para se të fillojnë bisedimet zyrtare të paqes që synojnë t'i japin fund konfliktit 18-vjeçar në Afganistan.

Qeveria në Kabul që gëzon mbështetjen e perëndimit, ka liruar më shumë se 480 të burgosur talibanë që nga 8 prilli, ndërsa militantët kanë liruar 60 zyrtarë të sigurisë afgane.

Shkëmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të përfundonte deri më 10 mars, para fillimit të bisedimeve brenda afgane të paqes, por, procesi është vonuar nga mosmarrëveshjet midis palëve.

XS
SM
MD
LG