Ndërlidhjet

Ndalohen 28 persona që nuk respektuan masat kundër COVID-19


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Policia e Kosovës brenda 24-orëve të fundit ka ndaluar 28 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 17 raste janë hasur 28 persona që dyshohen për veprën: “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Numri më i madh i rasteve që nuk i respektuan masat kundër koronavirusit janë paraqitur në Komunën e Prizrenit, pasuar nga Prishtina.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Mosrespektimi i këtyre masave konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro gjobë për personat fizik dhe 3 mijë deri 8 mijë euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet deri nga 500 deri 1500 euro.

Kosova aktualisht ka konfirmuar 731 raste me koronavirus, 20 pacientë kanë vdekur, ndërsa 165 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG