Ndërlidhjet

IKSHPK njofton edhe për 32 raste të reja me koronavirus në Kosovë


Foto ilustrim

Në Kosovë, të dielën, janë konfirmuar edhe 32 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 763.

Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK).

Numri më i madh i këtyre 32 rasteve të reja është nga komuna e Pejës.

"Rastet pozitive janë raste kontakti, 23 raste nga komuna e Pejës , 4 raste me vendbanim në Runjevë-Kaçanik, 2 raste me vendbanim në Strellc i epërm-Deçan dhe me nga një 1 rast vendbanimet: Hoçë e Qytetit-Prizren, Sallagrazhdë-Suharekë dhe Shtime", thuhet në njoftimin e Institutit.

IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të dielën është shëruar edhe një pacient, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 166.

Deri më tani në Kosovë, 21 pacientë kanë humbur jetën. Që të gjithë kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

XS
SM
MD
LG