Ndërlidhjet

Procesi gjyqësor ndaj sulmit në Kuvendin e Maqedonisë mbetet pa epilog


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - 27 prill 2017.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - 27 prill 2017.

Pandemia e koronavirusit ka paralizuar procesin gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të lartë shtetëror, të cilët akuzohen si organizatorë të ngjarjeve të përgjakshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill të vitit 2017.

Në bankën e të akuzuarve është ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish ministri i Transportit, Mile Janakievski, ish ministri i Punëve dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasoski, ish-shef i policisë sekrete, për të cilët Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit gjatë vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “rrezikim i rendit kushtetues dhe sigurisë, lidhur me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017".

Tashmë dënimin me burg për ngjarjet e dhunshme në institucionin ligjvënës janë duke e vuajtur vetëm autorët e dhunës, përkatësisht 16 persona të cilëve gjykata u shqiptoi 211 vjet burg.

Tre vite më parë një grup protestuesish të cilët ishin të përkrahur dhe organizuar nga VMRO-DPMNE-ja, u futën me dhunë në institucionin ligjvënës ku dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, gazetarëve dhe administratës së kuvendit.

Dhuna në kuvend kishte ndodhur gjatë zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Zgjedhja e tij kundërshtohej nga partia VMRO-DPMNE, e cila kishte nxitur aktivistët e saj, por edhe disa shoqata tjera nacionaliste që të protestonin.

Video: Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë

Lideri i Social-demokratëve Zoran Zaev, i cili pritej atë kohë të marrë drejtimin e qeverisë ishte cak i sulmuesve.

Nga Aleanca për Shqiptarët, lideri i së cilës parti, Zijadin Sela është ai që doli me lëndime më serioze nga ky sulm, pasi u rrah brutalisht nga sulmuesit, thonë se procesi gjyqësor për ngjarjet e së enjtes së përgjakshme si quhet ndryshe, ka dëshmuar se sistemi gjyqësor në vend vazhdon të mbahet peng nga politika.

Ilmi Aziri, zyrtar i lartë i Aleancës për Shqiptarët, për Radion Evropa e Lirë thotë se ngjarjet e 27 prillit paraqesin dëshmi se në Maqedoninë e Veriut ekziston një kapje e dyfishtë, përkatësisht gjyqësori mbetet i kapur nga politika dhe politikanët janë të kapur nga gjyqësia pasi organiztaorët e vërtetë të ngjarjeve të dhunshme mbeten jashtë grilave.

“Faktikisht kemi një shantazhim të dyfishtë për shkak të veprimeve që kanë ndodhur në të kaluarën. Ne jemi dëshmitarë se jo vetëm gjyqësia, por edhe politika është e përzier në mosnxjerrjen e para gjyqit ata politikanë për të cilët supozohej se janë të përzier në ngjarjet e 27 prillit".

"Pra që në mosmarrjen e imuniteit të kryetarit të atëhershëm Trajko Veljanovski, të cilit me manipulimet procedurale nga ana e kryetarit aktual të parlamentit dhe komisionit përkatës parlamentar iu mundësua që të mos i miret imuniteti dhe kjo njëkohësisht paraqiste pengesë që ai të mos paraqitet para organeve të drejtësisë. Pavarësisht se po bëhen përpjekje nga ana e qytetarëve, por dhe nga ana e politikanëve të përgjegjëm për një reformim rrënjësorë si politik po edhe të sistemit gjyqësorë gërshetimi i veprimeve mes politikës dhe gjyqësorit po e pamundëson këtë” thotë Aziri.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovki ndaj të cilit gjithashtu ishte ushtruar dhunë gjatë ngjarjeve të 27 prillit, të hënën, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Maqedonia e Veriut sot kujton ditën më të errët të historisë më të re të shtetit.

Spasovski ka theksuar se për të realizuar planin dhe qëllimin e tyre monstruoz, sulmuesit në ngjarjet e 27 prillit madje ishin të gatshëm edhe për likuidim të disa prej anëtarëve të Parlamentit.

“Më 27 prill të vitit 2017, me qëllim monstruoz dhe me dhunë, u organizua dhe u zbatua aksion kriminel nga liderët e partisë së atëhershme qeveritare të cilët ishin të vendosur që të mbesin në pushtet me çdo kusht, pa ndjenjën për pasoja të ambicieve të tyre të errëta".

"Përfaqësuesit e lirisë dhe demokracisë megjithatë fituan, ndërsa shteti i kapur sot është anëtar i NATO-s dhe vend që ka filluar negociatat për anëtarësim në BE”, ka shkruar Spasovski.

Gjatë të hënës, edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se në emër të shënimit të kësaj dite, një grup gazetarësh ndaj të cilëve u ushtrua dhunë kanë paraqitur padi kundër shtetit për të përcaktuar shkeljen e së drejtës së lirisë së shprehjes dhe për të kompensuar dëmin jomaterial.

XS
SM
MD
LG