Ndërlidhjet

Spanja prezanton planin e lehtësimit të masave të izolimit


Ilustrim.

Spanja ka prezantuar planin me katër faza për lehtësim të masave të izolimit dhe kthimit në “normalitetin e ri” deri në fund të muajit qershor, pas situatës së krijuar me koronavirus.

Kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se secili rajon do të lirojë masat në kohë të ndryshme, varësisht prej shkallës së infektimit.

Katër ishuj spanjollë do të jenë të parët që do të lehtësojnë masat nga 4 maji, duke vazhduar më vonë me pjesën tjetër të territorit spanjoll një javë më vonë.

Nga shpërthimi i koronavirusit në Spanjë kanë vdekur gati 24,000 persona.

Ky shtet ka marrë disa prej masave më të ashpra të izolimit në gjithë botën nga 14 marsi, duke përfshirë edhe ndalimin e lëvizjes për fëmijët për gjashtë javë.

Mirëpo tani ka shenja se shkalla e infektimit është duke u ulur.

Numri i të vdekurve nga ky virus të martën ka shkuar në 301 sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë për dallim nga një rekord prej 950 viktimave sa ishin regjistruar në fillim të muajit prill.

Numri i të infektuarve po ashtu ka rënë në 1,308, duke shënuar kështu shifrën më të vogël prej kur Spanja ka shpallur gjendje alarmi më 14 mars.

Të dielën, fëmijët spanjollë nën moshën 14-vjeçare janë lejuar të dalin nga shtëpitë e tyre për një orë në ditë.

Ndërkohë më 2 maj, gjithë popullsia do të lejohet të ecë dhe të bëjë ushtrime në ambiente të jashtme, nëse shkalla e infektimit vazhdon të bie.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG