Ndërlidhjet

Hoti: Zgjedhja e qeverisë së re nuk do ta cenojë Kushtetutën


Avdullah Hoti, foto nga arkivi.

I dekretuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se zgjedhja e qeverisë së re do të ndodhë në mënyrë demokratike dhe votimi i saj nuk do të përbën "cenim të Kushtetutës".

"Legjitimimi i institucioneve ekzekutive të Kosovës, përmes votimit të Qeverisë së re, do të ndodhë në mënyrë demokratike përmes votës së përfaqesuesve të popullit në Kuvend. Asnjë shkronjë e Kushtetutës nuk do të cenohet, përkundrazi, ajo do të respektohet e lartësohet", ka thënë Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së enjte e ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Vetëm pak çaste pas shpalljes së këtij dekreti, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.

Vendimi i presidentit Thaçi pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kuvend, më 25 mars.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deponuar në Kuvend, kërkesën me 61 nënshkrime të deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të shtunën, më 2 maj, me pikën e vetme, zgjedhjen e qeverisë së re.

XS
SM
MD
LG