Ndërlidhjet

Vetëvendosje: Masa e Gjykatës e shtyn protestën


Ilustrim.

Sekretarja organizative e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi ka njoftuar përmes llogarisë së saj në Facebook se është shtyrë protesta e qytetarëve dhe aktivistëve të kësaj Lëvizjeje për të kundërshtuar mbajtjen eventuale të seancës së jashtëzakonshme për formim të Qeverisë së re të Kosovës më 2 maj.

Kjo pasi, Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, i cili i mundësonte kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, të formonte qeverinë e re.

“Tash e disa javë është bërë presion i madh nga aktivistë e qytetarë për të dalë në protesta. Kjo u shtua sidomos dje pas paralajmërimit për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën me 2 maj. Mirëpo, masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese sot, sigurisht se e shtynë protestën. Ndërkohë, puna e përditshme dhe përgatitjet tona vazhdojnë”, ka deklaruar Haxhimehmedi.

Më 30 prill, Thaçi ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar një ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të organizojë seancë të jashtëzakonshme më 2 maj për formim të qeverisë së re, mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria në detyrë do të vazhdojë punën, deri në vendimin e ardhshëm.

Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Thaçit për qeverinë

XS
SM
MD
LG