Ndërlidhjet

Thaçi, në prag të Samitit të Zagrebit, kërkon liberalizim të vizave


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave me Kosovën.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, Thaçi i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Biseda u zhvillua në prag të Samitit të Zagrebit që mbahet sot midis përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Në komunikatën e Presidencës së Kosovës po ashu thuhet se Thaçi dhe Michel “u pajtuan që BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”.

“Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga COVID19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi], angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik”, thuhet në komunikatë.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pari në dy vjet, do të zhvillohet online, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.

Fillimisht ka qenë e paraparë që samiti t’i përafrojë më tej gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor - Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë - me Evropën, përmes stimujve ekonomikë dhe reformave.

Por, takimi tani pritet t'i shmangë bisedimet për anëtarësim në BE dhe të përqendrohet në ndikimin socio-ekonomik të pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë afro 140,000 njerëz në Evropë.

Samiti organizohet nga Kroacia, si udhëheqëse aktuale e presidencës së BE-së.

XS
SM
MD
LG