Ndërlidhjet

SHBA-ja mund të ndërpresë raportet me Kinën, thotë presidenti Trump


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar përsëri Kinën për trajtimin që i ka bërë pandemisë së koronavirusit, duke kërcënuar se do t'i japë fund marrëdhënieve me Pekinin.

"Ka shumë gjëra që mund të bëjmë. Ne mund të ndërpresim tërë marrëdhënien", tha Trump në intervistën për televizionin Fox Business.

Më herët u njoftua se rreth 36 milionë amerikanë janë regjistruar si të papunë, që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit në SHBA, në mesin e muajit mars.

Shifrat e fundit të papunësisë vijnë dy javë pasi të dhënat treguan se ekonomia amerikane u tkurr 4.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020.

Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19, që e shkakton koronavirusi.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Shtetet e Bashkuara, deri më tani, janë konfirmuar 1,391,238 raste të të infektuarve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shtuar së fundmi kritikat kundër Kinës, duke thënë se ky shtet nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndalur koronavirusin, kur është shfaqur për herë të parë në Vuhan dhe Hubei.

Ai ka thënë më 1 maj se ka parë prova që i japin atij një "shkallë të lartë besimi" se koronavirusi doli nga një laborator kinez i virologjisë.

Derisa zyrtarët kinezë kanë pranuar se ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se nga e kishte origjinën sëmundja, shumica e ekspertëve besojnë se koronavirusi e ka origjinën në një treg të kafshëve të egra në Vuhan.

XS
SM
MD
LG