Ndërlidhjet

Kurti: Pres nga Kushtetuesja të interpretojë dhe jo të shkruajë Kushtetutën


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se se pret nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë intepretimin e Kushtetutës dhe jo, siç tha ai, shkrimin e saj.

Kurti iu referua rastit që ka dërguar Lëvizja e tij Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar kushtetushmërinë e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për dekretimin e Avdullah Hotit si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku u takua me personelin mjekësor dhe vullnetarët që kanë menaxhuar karantinën gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Unë pres nga Gjykata Kushtetuese që, në përputhje me Nenin 112 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të bëjë interpretim të Kushtetutës dhe jo shkrim të saj. As presidenti, as kryeministri, as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shkruajnë Kushtetutën. Ne duhet ta respektojmë dhe zbatojmë atë dhe Gjykata Kushtetuese edhe ta interpetojë këtë. Mirëpo, ndryshim të Kushtetutës, plotësim të saj dhe shkrim të saj mund të bëhen vetëm me amandamente parlamentare në Kuvendin e Republikës”, tha Kurti.

Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Mocioni është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës - parti në koalicionin qeverisës - pasi Kurti ka shkarkuar një nga ministrat e saj.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, më 30 prill, e ka dekretuar Avduallah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të ri të vendit.

Të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendsje e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e vendimit të Thaçit.

Gjykata Kushtetuese, më 1 maj, ka vendosur masën e përkohshme për pezullim të zbatimit të këtij dekreti deri më 29 maj, derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.

XS
SM
MD
LG