Ndërlidhjet

Ambasadori britanik: I rëndësishëm respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese këtë javë


Flamuri britanik, ilustrim.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott e ka konsideruar shumë të rëndësishëm respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këtë javë, rreth kushtetushmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se pavarësisht vendimit që do të prezantohet, i njëjti do të ndikojë në ndryshim, qoftë me zgjedhje të reja, apo qeveri të re.

“Cilido që do të jetë reagimi, është në interesin më të mirë të Kosovës, si demokraci e re parlamentare, që një ndryshim i tillë të ndodhë në mënyrë paqësore dhe të qetë, pa retorikë të ekzagjeruar politike dhe pa kërcënim për dhunë”, është shprehur ai.

Abbott po ashtu ka thënë se është detyrë e të gjithë liderëve politikë, si në institucione shtetërore apo parti politike, që të sigurojnë se nuk do të dëmtohet stabiliteti politik dhe siguria e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se më 29 maj do të prezantojë vendimin rreth kërkesës së dërguar nga Lëvizjes Vetëvendosje, për të analizuar kërkesën e Thaçit për dekretim.

Thaçi ka marrë këtë vendim, pas shkëmbimit të disa letrave me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në të cilat i ka kërkuar emrin e mandatarit për formim të qeverisë së re.

Kurti në anën tjetër nuk ka përmendur ndonjë emër në periudhën e përcaktuar nga Thaçi.

Kujtojmë se Thaçi ka marrë këtë nismë pas rrëzimit të qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

XS
SM
MD
LG