Ndërlidhjet

Kryeparlamentarja Osmani mbështet vendimin e Kurtit për masat e reciprocitetit


Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka mbrojtur vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës, për të zgjeruar masat e reciprocitetit ndaj Serbinë.

Ajo i ka reaguar përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili kërkoi heqjen e këtyre masave dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se të hedhësh poshtë parimin e reciprocitetit do të thotë të refuzosh marrëveshjet e arritura në dialog.

"Marrëveshjet i referohen masave reciproke në tregti dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Standardi më i rëndësishëm në tregti është: reciprociteti. Ajo që po bën Kosova është pikërisht ajo që po na kërkoni: të zbatojmë marrëveshjet", ka shkruar Osmani.

Një vendim i së shtunës në mbrëmje i qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë, ka nxitur reagime në Kosovë, Bruksel dhe Serbi. Vendimi i qeverisë ka të bëj me moslejimin e hyrjes së mallrave serbe, të cilat nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe mandatari për formimin e qeverisë nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë në detyrë.

Në Serbi, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se dialogu në Bruksel nuk do të vazhdojë derisa të gjitha këto vendimet nuk tërhiqen nga ana e autoriteteve të Prishtinës.

Por, kryeministri Kurti ka thënë përmes një postimi në Twitter se"refuzimi i parimit të reciprocitetit është mohim i ushtrimin të të drejtave sovrane të Kosovës".

Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit.

Mirëpo, Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

XS
SM
MD
LG