Ndërlidhjet

Shefja për të drejta të njeriut e OKB-së alarmon për ndikimin racor të pandemisë


Shefja për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet.
Shefja për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet.

Shefja për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, tha se ndikimi joproporcional i pandemisë së koronavirusit te pakicat etnike në SHBA dhe protestat e nxitura nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd kanë nxjerrë shtruar “pabarazitë endemike” që duhen adresuar.

Bachelet tha se të dhënat tregojnë se kriza e koronavirusit ka pasur një ndikim më të keq te pakicat racore dhe etnike, si në SHBA, ashtu edhe në disa shtete të tjera.

"Ky virus po ekspozon pabarazitë endemike që janë injoruar për shumë kohë", tha ajo.

"Në Shtetet e Bashkuara, protestat e shkaktuara nga vrasja e George Floydit po nxjerrin në pah jo vetëm dhunën e policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, por edhe pabarazitë në shëndetësi, arsim, punësim, si dhe diskriminimin endemik racor", tha Bachelet.

Floyd vdiq gjatë arrestimit nga policia në Mineapolis të Minesotës, më 25 maj.

Bachelet tha se shkalla e vdekshmërisë së afrikano-amerikanëve nga koronavirusi raportohet të jetë më shumë se dyfish më e lartë se te grupet e tjera racore në Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e saj nënvizoi edhe situatën në Mbretërinë e Bashkuar, ku të dhënat e Qeverisë për Anglinë dhe Uellsin tregojnë për një normë më të lartë të vdekshmërisë te njerëzit me ngjyrë, te pakistanezët dhe te qytetarët me prejardhje nga Bangladeshi, krahasuar me të bardhët.

Situata të ngjashme, tha Bachelet, ekzistojnë edhe në Brazil dhe Francë.

"Ndikimi i tmerrshëm i COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] te pakicat racore dhe etnike është duke u diskutuar shumë, por ajo që është më pak e qartë është se sa po bëhet për ta adresuar këtë", tha Bachelet.

"Duhet të ndërmerren hapa urgjentë nga shtetet, të tillë si prioritizimi i monitorimit dhe testimit të shëndetit, rritja e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe sigurimi i informacioneve për këto komunitete", shtoi Bachelet.

XS
SM
MD
LG